MASHT

Ministrja Nagavci mori pjesë në ngjarjen e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve

21 Nëntor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në ngjarjen e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve, organizuar nga UNICEF në Kosovë, në partneritet me Bashkimin Evropian. Kjo ngjarje do të theksoj arritjet e partneritetit mes UNICEF-it dhe BE-së në projektin “Mbrojtja e Fëmijëve të Cenueshëm në Kosovë”.

Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, në Ditën Botërore të Fëmijëve ne riafirmojmë përkushtimin për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve në Kosovë, ku në takimin e mbajtur Ndërministror të Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve, u diskutua për tematikën e zgjedhur të vitit për ditën e fëmijëve, e cila vë në pah faktin shumë të rëndësishëm që zëri juaj duhet dëgjuar.

Ajo theksoj se, po në këtë ditë, MASHTI hap zyrtarisht “Javën kundër braktisjes së shkollimit” – një program i përvitshëm me aktivitete të shumta vetëdijesuese, me video e diskutime, me shpërndarje të broshurave informuese në të gjitha shkollat e vendit.

Ministrja Nagavci gjithashtu bëri të ditur se, me veprimet tona si Qeveri dhe si Ministri e Arsimit, synojmë të krijojmë kushtet e duhura që fëmijët në shkolla të kenë infrastrukturë cilësore, të jenë të pajisur me tekste të sakta, të dinë të mbrohen nga dukuritë dhe shprehitë e rrezikshme, të kuptojnë rëndësinë e edukimit në kushtet e shekullit XXI etj.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka theksuar se, do të vazhdojmë punën për t’u siguruar që shkollat tona të jenë fizikisht dhe dixhitalisht të qasshme për fëmijët me aftësi të kufizuara. Më tej, kemi zgjeruar mbështetjen për fëmijët nga komunitetet jo-shumicë duke promovuar kulturën dhe gjuhët e tyre brenda sistemit arsimor.

Ndërsa, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav foli për disa dokumente për të drejtat e fëmijëve që janë shumë të rëndësishme dhe janë miratuar para shumë vitesh, duke shtuar se, ata do jenë këtu dhe se fëmijët janë fillimi, mesi dhe fundi i të gjitha tregimeve.

Për rëndësinë e shënimit të kësaj dite kanë folur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini dhe Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.

Last modified: 21 Nëntor, 2024