MASHT

Shënohet Dita Botërore për të Drejtat e Fëmijëve

20 Nëntor, 2024

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve, Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, ka organizuar takimin me temën “Dëgjoje të ardhmen”, me moton “Të gjitha të drejtat, për të gjithë fëmijët”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me këtë rast ka thënë se, fëmijët janë rruga e duhur për të ardhmen e qëndrueshme të Kosovës. “Jemi bashkë sot e të përbashkuar çdo ditë, se investimi për fëmijët është rruga e duhur për një të ardhme të qëndrueshme, për të rritur breza të shëndosh dhe të edukuar. Po rrisim politikat sociale që të jetojnë në një ambient të sigurt”, është shprehur kryeministri Kurti.

Ministrja Arbërie Nagavci ka theksuar se, në përgjithësi pritet që fëmijët t’i dëgjojnë të rriturit, por në fakt edhe ne duhet t’i dëgjojmë fëmijët, duke i kushtuar vëmendje zërit të tyre të sinqertë, në mënyrë që t’ua plotësojmë kushtet si duhet.

“Sot ju them të gjithë juve fëmijë të dashur që keni vëmendjen tonë të plotë, dhe po ashtu ju garantoj që keni edhe vullnetin tonë për të krijuar kushtet më të mira për jetë e shkollë për të gjithë juve”, është shprehur ministrja Nagavci.

Ministrja Nagavci ka rikujtuar se, vitin e kaluar në të njëjtën datë, Ministria e Arsimit ka publikuar Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës, një dokument i mbështetur në Konventë, në Kushtetutën e Kosovës, në ligjet tona, si dhe në praktikat e standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijës.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka theksuar se, Dokumenti i Politikës për Mbrojtjen e Fëmijës përmban zotimin dhe përkushtimin e institucionit arsimor për të siguruar një mjedis të sigurt për fëmijët, dhe për të parandaluar dhe reaguar ndaj çdo shqetësimi, rreziku, apo dëmi për fëmijën.

Tutje ajo ka bërë të ditur se, po sot, MAShTI shënon edhe nisjen e “Javës kundër braktisjes së shkollës”, ku me këtë rast në nivel qendror dhe komunal zhvillohen një varg aktivitetesh kushtuar arsimimit cilësor dhe të qëndrueshëm, për të zhvilluar potencialin e plotë të fëmijës drejt zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë.

Në praninë e përfaqësuesve të organizatave vendore dhe ndërkobëtare, prindërve e fëmijëve, për rëndësinë e kësaj dite kanë folur edhe Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në ZKM, shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e KOMF-it.

Nga viti 1954, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka rekomanduar institucionalizimin e Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, e cila rrjedhë nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, e miratuar më 20 nëntor 1989.

Last modified: 20 Nëntor, 2024