MASHT

Ministrja Nagavci ka pritur në takim Ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav

20 Nëntor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin kanë diskutuar për mbështetjen dhe reformën në arsim.

Ministrja Nagavci, falënderoi Ambasadorin Orav për bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj Kosovës në fushën arsimit, ndërsa shtoi se sa i përket rekomandimeve të Rapid Education Diagnosis prej shkurtit të vitit 2023 është duke u punuar në inkorporimin e tyre në dokumente dhe strategji të MASHTI-t. Për këtë qëllim është themeluar edhe një grup punues me zyrtarët kompetent në kuadër të MASHTI dhe Qeverisë.

Në këtë takim, ministrja Nagavci e njoftoi Ambasadorin për zbatimin e arsimit dual, cili për të tretin vit me radhë ka filluar të aplikohet në Kosovë, ku më shumë se 1,500 nxënës janë të përfshirë në 12 profile në shkolla të ndryshme, ndërsa shtoi se Ministria e Arsimit është duke punuar me kompani dhe biznese, për t’i angazhuar këta nxënës në kompani për 51% të kohës së shkollës.

Ministrja Nagavci po ashtu theksoi se një ndër prioritet e MAShTI është zhvillimi dhe përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm ku janë bërë ndryshimet e caktuara në legjislacionin përkatës.

Ndërsa, Ambasadori i BE-së, Aivo Orav foli për mbështetjen e Bashkimit Evropian, siç theksoi ai, për një fushë të ndjeshme siç është arsimi, duke shtuar se, arsimimi i hershëm ka rëndësi të veçantë edhe për Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit u bisedua edhe për rëndësinë e kërkimit dhe inovacionit, ku ministrja Nagavci tregoi për rifunksionalizimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe finalizimin e Programit Kombëtar të Shkencës.

Last modified: 20 Nëntor, 2024