Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare “FutureFrames – Intelegjenca Artificiale në Arkitekturë dhe Evolucioni Urban”, të organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës.
Qëllimi i kësaj konference është të mundësojë shkëmbimin e njohurive dhe shkathtësive mes hulumtuesve, profesorëve, studentëve dhe ekspertëve nga industria në fushat e arkitekturës dhe evolucionit urban përmes përfshirjes së inteligjencës artificiale.
Ministrja Nagavci theksoi se, kjo Konferencë, tregon se Kosova po ecën me hapin e vendeve të zhvilluara, duke krijuar mundësi për diskutimin e këtyre temave me rëndësi për tërë shoqërinë njerëzore. Po ashtu, në punën e MASHTI-t, infrastruktura arsimore zë vend të rëndësishëm, meqenëse hapësirat e mësimit edhe studimit janë ambientet ku nxënësit dhe studentët tanë zhvillohen intelektualisht dhe profesionalisht.
Nagavci shtoi se, Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë punuar dhe vazhdojnë punën për ndërtimin, rinovimin dhe adaptimin e mjediseve shkollore në shumë komuna të vendit, si dhe pajisjen e tyre me mjetet e nevojshme për zhvillimin cilësor të procesit mësimor.
Tutje Nagavci tha se, për të krijuar kushte më të mira studimi, në arsimin e lartë janë liruar 173 mijë studentë nga pagesa semestrale, si dhe u dhamë shtysë pa precedent vajzave dhe grave duke ofruar 4611 bursa STEM për to vetëm gjatë këtij mandati qeverisës.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi Konferencën STEMinists, që këtë vit ka qenë një panel i veçantë kushtuar arkitekturës e inxhinierisë, energjetikës dhe hekurudhave, me pjesëmarrëse nga pikërisht këto fusha.
Për rëndësinë e kësaj konference folën edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu.
Last modified: 7 Nëntor, 2024