Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj dhe drejtoresha, Arlinda Bajraktari kanë bërë përurimin e çerdhes “Fluturat” në Suharekë.
Gjatë ceremonisë së përurimit të çerdhes së re, kryeministri Albin Kurti theksoi se, ndjehet i nderuar me rastin e inaugurimit të institucionit parashkollor “Fluturat”, një investim i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve dhe të gjithë qytetarëve të komunës së Suharekës.
“Ndërtimi i kësaj çerdheje përfaqëson një hap tjetër përpara në përkushtimin tonë për të ofruar arsimim cilësor dhe gjithëpërfshirës, që nuk e lë askënd mbrapa, nga vitet e para të jetës, atëherë kur zhvillimi është tejet i rëndësishëm”, theksoi kryeministri Kurti.
Ministrja Nagavci në fjalën e saj të rastit tha se, Ministria e Arsimit ka punuar shumë për të siguruar kushtet e merituara për fëmijët, nxënësit dhe studentët në tërë Kosovën, duke shtuar se, edukimi në fëmijërinë e hershme është pa dyshim prioriteti i parë në Strategjinë e re të arsimit.
Nagavci ndër të tjera ka bërë të ditur se, falë bashkëpunimit të afërt me autoritetet komunale, komuna e Suharekës ka pasur vëmendje të veçantë për ofrimin e mbështetjes në aspektin infrastrukturor, me objekte të reja dhe rinovime, si dhe në pajisjen me inventar.
Ministrja Nagavci gjithashtu tha se, mbështetja nga ana e Ministrisë është proces i pandalshëm, i cili ka për qëllim që fëmijët e vegjël sot të bëhen të rritur produktivë dhe të aftë për të avancuar veten dhe shoqërinë.
Vlera e realizimit të këtij projekti të mbështetur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit arrin shumën prej 742,382.05 euro.
Çerdhja ofron një hapësirë moderne prej 1800 metra katrorë, të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe argëtuese, duke pasur ka kapacitet për të pritur 160 fëmijë.
Last modified: 7 Tetor, 2024