MASHT

U mbajt Konferenca “ Drejtimi i ekselencës:Përafrimi i politikave të sigurimit të cilësisë me strategjinë institucionale dhe angazhimi i palëve të interesuara”

24 Shtator, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në hapjen e Konferencës për Arsimin e Lartë me temë “ Drejtimi i ekselencës:Përafrimi i politikave të sigurimit të cilësisë me strategjinë institucionale dhe angazhimi i palëve të interesuara”, të organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Ministrja Arbwrie Nagavci me këtë rast ka theksuar se, arsimi i lartë është një nga pesë prioritetet strategjike në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, e cila u miratua gjatë mandatit të qeverisjes së saj. Kjo strategji siç e përmendi ajo, është formuluar për të adresuar mangësitë strukturore të identifikuara në arsimin e lartë.

Nagavci gjithashtu vuri në dukje se kanë bërë punë të madhe drejt ndërtimit të mekanizmave përkatës dhe përmirësimit të infrastrukturës akademike dhe kërkimore. Ajo përmendi ngritjen e sistemit KRIS (Kosovo Research and Information System), i cili mundëson ndarjen e hulumtimeve aktuale mes kërkuesve shkencorë dhe rrjetëzimit mes tyre.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi se, puna e bërë është vlerësuar dhe shpërblyer me rikthimin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës në ENQA si anëtare e asociuar dhe me shtrimin e rrugës drejt përfshirjes në EQAR, përmes ndryshimeve në statutet e reja.

Ajo theksoi se gjatë mandatit të tyre, Qeveria dhe Ministria e Arsimit i kanë kushtuar rëndësi të veçantë arsimit të lartë, duke përfshirë lirimin e studentëve nga pagesat semestrale që nga viti akademik 2021/2022, ofrimi i bursave në të gjitha nivelet e arsimit të lartë.

Për rëndësinë e mbajtjes së kësaj Konference kanë folur edhe kryetarja e Këshillit të Cilësisë KAA, Hasnija Ilazi, ministrja Federale e Arsimit dhe Shkencës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Jasna Duakovic, anëtarja e Komisionit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Inovacionit, Kulturës dhe Sportit, Albena Reshitaj, zyrtarja e politikave dhe projekteve në EQAR-Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë, Aleksandra Zhivkovikj dhe anëtarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë KAA, Maja Martinovic.

Last modified: 24 Shtator, 2024

Comments are closed.