Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim Ambasadorin e OSBE-së për Kosovë, Michael Davenport me të cilin ka biseduar për për realizimin e projekteve të ndryshme për arsimimin e komuniteteve dhe projekte tjera të rëndësishme për gjithpërfshirjen dhe ngritjen e cilësisë në arsim.
Gjatë takimit, ministrja Nagavci falënderoi ambasadorin Davenport për kontributin e OSBE-së në fushën e arsimit në Kosovë, veçanërisht për projektet që kanë ndihmuar komunitetet ashkali, rom dhe egjiptian.
Ministrja Nagavci theksoi rëndësinë e Qendrave Mësimore dhe zbatimit të Udhëzimit Administrativ (UA) 19/2018 për themelimin dhe funksionimin e tyre, duke vlerësuar se këto qendra janë thelbësore për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta.
Me këtë rast tha se si Qeveri kemi krijuar buxhet të qëndrueshëm për këto qendra dhe këtë vit e kemi rritur buxhetin për to.
Ministrja Nagavci e informoi ambasadorin Davenport dhe në lidhje me bursat e vazhdueshme dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët pa dallim.
Ndërsa, sa i përket doracakut për ndërkulturalizimin në arsim, ministrja Nagavci theksoi se ky doracak është një mjet i rëndësishëm për promovimin e dialogut ndëretnik dhe instrument tejet i dobishëm për të gjitha shkollat tona.
Ambasadori i OSBE-së për Kosovë, Michael Davenport vlerësoi përpjekjet e Ministrisë për të adresuar sfidat në arsim dhe për të promovuar ndërkulturalizimin në shkolla, për përparimin e bërë në institucionalizimin e qendrave mësimore dhe zbatimin e UA 19/2018, duke theksuar se OSBE-ja do të vazhdojë të mbështesë këto iniciativa për të siguruar një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.
Last modified: 14 Gusht, 2024