MASHT

U hap Shkolla Verore Ndërkombëtare në Prizren

1 Gusht, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe rektorin e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Shkollës Verore Ndërkombëtare në Prizren.

Qëllimi i Shkollës Verore Ndërkombëtare në Prizren është të ofrojë një platformë për shkëmbim akademik dhe kulturor ndërmjet studentëve nga vende të ndryshme.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë është një ndër prioritetet e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, për të garantuar që studentët të ecin në hap me moshatarët e tyre nga e gjithë bota, teksa shohim pjesëmarrës nga 45 vende të botës dhe nga kontinente të ndryshme.

Nagavci theksoi se, Universiteti për herë të parë hapi dyert për qindra studentë e profesorë në vitin 2022, ku kjo shkollë verore nisi rrugëtimin e saj, edicioni i dytë është mbajtur vitin e kaluar dhe ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm sidomos në ndërkombëtarizimin e Universitetit të Prizrenit, ndërsa këtë vit është edicion i tretë që do ta vazhdojë më tej traditën e bukur të diversitetit akademik.

Nagavci po ashtu bëri të ditur se, njësitë akademike që janë pjesë e moduleve të kësaj shkolle, vijnë nga fusha tejet të rëndësishme të edukimit dhe tregut të punës, por njëkohësisht ato janë përzgjedhur duke pasur parasysh drejtimet, të cilat u shërbejnë nevojave dhe kërkesave të kohës në të cilën jetojmë.

Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, përgëzoi Universitetin e Prizrenit për këtë organizim tradicional të tretin me radhë, i cili mbledhë të rinjë nga vende të ndryshme, duke ju ofruar mundësinë që të njohin më mirë këtë qytet dhe të krijojnë raporte bashkëpunimi mes veti.

Rektori Mentor Alishani tha se, pjesëmarrësit e Shkollës Verore do të kenë mundësi që të dëgjojnë ligjerata nga profesorë të kualifikuar në fushat përkatëse nga vende të ndryshme të botës.

Të pranishëm në hapjen e Shkollës Verore ishin rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, kryetarë të komunave, përfaqësues të ambasadave, profesorë dhe studentë të vendeve të ndryshme.

Last modified: 14 Gusht, 2024

Comments are closed.