MASHT

U bë hapja solemne e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Republikës së Kosovës

20 Qershor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci, kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, drejtori i Kompanisë Celestron nga ShBA, Corey Lee, donatori i Teleskopit Diellor më të madh në Evropën Lindore, Stephen Ramsden dhe themeluesja e organizatës “AOK”, Pranvera Hyseni kanë bërë inaugurimin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Republikës së Kosovës në fshatin Rashincë të Shtimes.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë të nivelit qendror dhe lokal, profesorë të Universitetit të Prishtinës, astronomë e shkencëtarë.


Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, ndonëse buxheti ishte ndarë pesë vite më herët, para dy vitesh së bashku me kryetarin Aliu nënshkruam marrëveshjen e mirëkuptimit për realizimin e këtij projekti madhor, me bashkëfinancim nga MAShTI dhe Komuna e Shtimes.


Ministrja Nagavci rikujtoi se, vitin e kaluar u hodhën themelet dhe sot me krenari po përurohet kjo qendër e hapësirës, ku do të marrin hov ëndrrat e shkencëtarëve të rinj e shkencëtareve të reja.
Nagavci tha se, ndjehet e lumtur që tashmë po inaugurohet Observatori dhe Planetariumi, pasi që kjo hapësirë jo vetëm që i ofron kushtet e nevojshme për hulumtime për shkencëtarët tanë, por njëkohësisht është edhe një stimulim i jashtëzakonshëm për të rinjtë e të rejat që janë të magjepsur nga hapësira dhe kozmosi dhe duan të dinë më shumë për to.

Ndër të tjera, Nagavci ka bërë të ditur se, Ministria e Arsimit ka mbështetur rihapjen e Observatorit të Prishtinës pas rreth 40 vitesh mosfunksionim, ku vetëm në vitin 2022 janë dhënë mbi 30 mijë Euro për Klubin e Astronomisë dhe tani Observatori i Prishtinës është bërë qendër shkencore dhe vend vrojtimi për të gjithë të apasionuarit e hapësirës.

Kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se, inaugurimi i këtij Observatori në fshatin Rashincë do ta vendosë komunën e Shtimes në vendet ku i kushtohet vëmendje hulumtimit shkencor dhe astronomik.

Drejtori i Kompanisë Celestron nga ShBA, Corey Lee, që është donatori kryesor i ndërtimit tha se, një projekt i cili ka filluar të diskutohet para pesë viteve sot është bërë realitet dhe tani këtu
kemi Observator dhe Planetarium të bukur, i cili do të t’iu shërbejë të gjithë njerëzve nga Kosova, të cilët janë të apasionuar pas astronimisë.
Donatori i Teleskopit Diellor më të madh në Evropën Lindore, Stephen Ramsden, foli për rëndësinë e kësaj qendre dhe punën e madhe që është bërë deri në finalizimin e këtij projekti të rëndësishëm për shkencën.
Themeluesja e organizatës “AOK”, Pranvera Hyseni se ky projekt i realizuar ju mundëson të rinjve që të shohin përtej imagjinatës, ndërsa falënderoi komunën e Shtimes, Ministrinë e Arsimit dhe gjithë donatorët që me një ekipë profesionale bashkuan idetë për të ndërtuar diçka që nuk ka ekzistuar me herët, një Observator kaq të madh që do të jetë në shërbim të të gjithëve.
Hapja zyrtare e Observatorit astronomik përfaqëson një rast të rëndësishëm në avancimin e njohurive shkencore dhe krijimin e një epoke të re të zbulimeve për popullin e Kosovës.
Ky Observator dhe Planetorium do të ofrojë një gamë të gjerë aktivitetesh, si: vrojtimin e diellit me teleskop, punëtori praktike për operim me teleskop, të udhëhequra nga astronom me renome botërore, që do të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve tona në këtë fushë, shfaqje shkencore në planetarium, vrojtimin e qiellit me teleskop natën, etj.

Last modified: 20 Qershor, 2024