MASHT

Ministrja Nagavci vizitoi dy shkolla profesionale në Prishtinë në të cilat është duke u zbatuar mësimi dual

6 Qershor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me zëvendësministrin, Taulant Kelmendi dhe drejtoreshën e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, Fikrije Zymberi vizituan dy shkolla profesionale në të cilat është duke u zbatuar mësimi dual, shkollën “Shtrefën Gjeçovi” dhe shkollën “7 Shtatori” në Prishtinë.

Ministrja Nagavci gjatë vizitës që i bëri drejtimit të Estetikës në shkollën “Shtjefën Gjeçovi” ka bashkëbiseduar me nxënëset lidhur me anën praktike të mësimit, ku u tha se gjatë këtij viti shkollor në këtë drejtim klasa përbëhej vetëm nga vajzat, ndërsa për vitet në vijim pritet nëse do të ketë të interesuar edhe djem për këtë profesion, i cili u tha se është mjaft atraktiv.

Sa i përket profesionit të estetikës dhe punës që bëhet në këtë drejtim ka folur Tringa, e cila ka thënë se është shumë e lumtur që është hapur ky drejtim në një shkollë publike, pasi kjo i ka dhënë mundësi që ajo të realizojë ëndrrën e saj, për të qenë një estetiste profesioniste. Ajo i ka inkurajuar të rinjtë që të zgjedhin këtë drejtim, pasi stafi i mësimdhënësve është mjaft i përgatitur.

Më pas, ministrja Nagavci ka vizituar edhe nxënësit e drejtimit të Flokëtarisë, për të parë kushtet të cilat ofrohen për nxënësit e këtij drejtimi. Sala e cila është nxënëse në këtë drejtim ka folur për punën praktike të cilën e realizon në shkollë dhe angazhimin e saj në biznes, duke e përshkruar si një përvojë shumë të mirë, pasi edhe ka qenë profesioni të cilin e ka dashur gjithmonë.

Gjatë ditës, ministrja ka vizituar edhe shkollën profesionale “7 Shatori”, ku ka bashkëbiseduar me mësimdhënësit dhe nxënësit e drejtimeve:hoteleri, tregti, turizëm dhe kuzhinë, për të parë ecurinë e procesit mësimor në këto drejtime.

Ministrja Nagavci ka përgëzuar stafin e shkollës dhe nxënësit për përkushtimin e tyre në punë dhe mësim, pasi duke përgatitur profesionistë të së ardhmes, kontribuon në zhvillimin e vendit.

Last modified: 6 Qershor, 2024