Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit të 24-t të Librit “Prishtina 2024”, në të cilin rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora do të prezantojnë mbi 2000 tituj të rinj dhe rreth 6000 tituj të viteve të fundit, për lexuesit dhe adhuruesit e librit.
Ministrja Nagavci ka përgëzuar organizatorët e Panairit për këtë ngjarje të madhe dhe moton e edicionit të 24- të librit, “Përgjigja është libri”, për çka edhe tha se përgjigjet më të mira dhe më të plota mund ti gjejmë vetëm aty.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/06/IMG-2119-1-1024x683.jpeg)
Ministrja Nagavci tha se është rritur dukshëm mbështetja për librat dhe shtëpitë botuese, si dhe autorët e pavarur, krahas zhvillimit të audio-librave dhe rezidencave letrare.
Nagavci po ashtu theksoi se, duke ditur faktin se libri vazhdon të mbetet burim i rëndësishëm i mësimit në shkolla tona, MAShTI me mbështetjen e partnerëve, ka filluar procesin e rishikimit të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës, me qëllimin që fëmijët tanë të rriten me tekste cilësore dhe efektive.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/06/IMG-2121-1024x666.jpeg)
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli falënderoi lexuesit të cilët siç tha ai, nga viti në vit shtohen në numër dhe kontribuojnë në tregun e librit, i cili tash fare lehtë mund të quhet edhe industri. Ai po ashtu falënderoi partnerët tradicional të Panairit, në veçanti Ministrinë e Kulturës e cila viteve të fundit është duke mbështetur botuesit, shkrimtarët dhe bibliotekat.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku foli për rëndësinë e Panairit si një nga traditat më të bukura e cila mbledhë bashkë njerëz të shumtë, të dijes e të leximit, ku mijëra tituj të ri i ofrohen lexuesit, duke kontribuar në promovimin e dijes në vendin tonë.
Panairi i Librit organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Prishtinës dhe Pallatin e Rinisë. Motoja e këtij edicioni është “Përgjigjja është libri”. Panairi do të jetë i hapur deri më 9 qershor.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/06/IMG-2124-1024x683.jpeg)
Last modified: 5 Qershor, 2024