MASHT

U HAP EDICIONI I 7-TË I KONFERENCËS PËR SHËNDETIN, MIRËQENIEN, EDUKIMIN DHE TË DREJTAT E FËMIJËVE

31 Maj, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të shtatë të Konferencës për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe të Drejtat e Fëmijëve. Konferenca e organizuar nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, ka për qëllim ofrimin e mundësive për shkëmbimin e njohurive, ideve, praktikave dhe diskutimeve domethënëse mbi gjetjet dhe trendet më të fundit në këto fusha kritike.

Ministrja Nagavci në fjalën e saj të rastit tha se, kjo Konferencë ka rëndësi të madhe, sepse ofron një platformë efektive për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave në fushën e edukimit, mirëqenies dhe mbrojtjes së fëmijëve, një nga prioritetetet e padiskutueshme në të cilën është duke u punuar shumë, me politika dhe veprime.

Nagavci tha se, në Ministrinë e Arsimit është duke u punuar për të ofruar kushte dhe shërbime më të mira edukativo-arsimore, duke nisur që nga fëmijëria e hershme, sepse investimi në grupmoshat e reja rrit premisat për zhvillimin e fëmijëve në nivele tjera.

Duke folur për kompletimin e infrastrukturës ligjore për edukimin në fëmijërinë e hershme, ministrja Nagavci përmendi aprovimin e ligjit për EFH dhe pilotimin e kurrikulës për nivelin parashkollor, ndërsa theks të veçantë i kushtoi edhe politikave për zbatimin e mësimit dual, për mbështetjen e nxënësve me bursa, subvencionimin e organizatave që mbështesin fëmijët e komuniteteve, fëmijët me nevoja të veçanta dhe ata me aftësi të  jashtëzakonshme, ku të gjitha këto veprime ndikojnë në mirëqenien e tërësishme të fëmijëve.

Ministrja Nagavci po ashtu tha se, është lansuar edhe Politika për Mbrojtjen e Fëmijës, e cila përmban zotimin dhe përkushtimin e institucionit arsimor: për të siguruar një mjedis të sigurt për fëmijët, për të parandaluar dhe reaguar ndaj çdo shqetësimi, rreziku, apo dëmi për fëmijën dhe për të respektuar parimet themelore të Konventës për të drejtat e Fëmijës dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi se, të gjitha instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e fëmijës janë pjesë integrale e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe i gjithë kuadri ligjor dhe politikat nacionale e sektoriale janë në harmoni me konventat.

Në Konferencë fjalë rasti mbajti edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ndërsa të pranishëm ishin hulumtues, profesorë, studentë, nxënës e prindër.

Last modified: 31 Maj, 2024

Comments are closed.