MASHT

U mbajt konferenca ministrore “Forumi Global i Politikave të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA)” në Tiranë

30 Maj, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në konferencën ministrore “Forumi Global i Politikave të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA)”, që është mbajtur në Tiranë.

Qëllimi i kësaj Konference është që ministrat e arsimit të lartë nga 49 vende të ndryshme, të diskutojnë dhe marrin vendime për të ardhmen e arsimit të lartë në Evropë.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka bërë të ditur se, Kosova është ndër vendet e para në rajon që ka ratifikuar marrëveshjet për njohjen e titujve akademikë dhe të kualifikimeve të caktuara profesionale, në kuadër të Procesit të Berlinit, duke shtuar se, MAShTI e ka dëshmuar përkushtimin, duke ngritur ekipe të veçanta dhe duke emëruar delegatë, për të marrë pjesë në aktivitetet rajonale.

Nagavci tutje tha se, Kosova merr pjesë në mënyrë aktive në takimet e rregullta të Platformave Drejtuese për Arsim, Trajnim, Kërkim dhe Inovacion për Ballkanin Perëndimor, ku koordinohet dialogu i politikave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe gjithashtu kontribuon në aktivitete rajonale, siç janë grupet e përbashkëta punuese të organizuara nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe nga Iniciativa për Reformën e Arsimit në Evropën Juglindore.

Ndërsa, sa i përket avancimit të theksuar në nivel shtetëror dhe institucional, ministrja Nagavci theksoi se, ky avancim është shënuar në kuadër të Procesit të Bolonjës dhe është njëra ndër vendet e para në rajon që ka adaptuar sistemin e Bolonjës.

Ndër të tjera, Nagavci tha se, Kosova ka integruar në legjislacionin e saj të gjitha parimet e Bolonjës, ku përfshihet Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, me aktet përcjellëse nënligjore, të cilat përmbajnë elementet bazë të këtyre parimeve.

Në fund, ministrja Nagavci tha se, sa i përket dimensionit social, janë marrë masa afirmative për studentët nga grupet e margjinalizuara dhe studentët me aftësi të kufizuara, ndërsa sfidë vazhdon të mbetet fakti që Kosova ende nuk është zyrtarisht pjesë e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë.

Në kuadër të konferencës ministrja Nagavci ka zhvilluar edhe shumë takime bilaterale ndër të tjera edhe me presidentin e ENQA, Douglas Blackstock dhe drejtoreshën e këtij institucioni, Anna Gover si dhe presidentin e EQAR, Stéphane Lauwick.

Po ashtu, ka takuar një delegacion të prirë nga këshilli i arsimit të lartë në Turqi, Erol Ozvar si dhe zëvëndësministrin e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Çekisë, Mgr Jiri Nantl me të cilët diskutuan rreth bashkëpunimit në fusha të ndryshme të arsimit me fokus në arsimin e lartë dhe shkencën, shqyrtimin e mundësive për marrëveshjet bilaterale dhe integrimin në zonën evropiane të arsimit të lartë.

Last modified: 30 Maj, 2024