Gjatë ditës së sotme, në media është publikuar lajmi se “Ministria e Arbërie Nagavcit me tender për ekspert që monitoron kritikat e mediave”.
Divizioni për Komunikim Publik (DKP) ka hapur tender me datë 23.05.2024 për shërbime të veçanta, respektivisht për kontraktor individual për monitorimin e media, qasje në dokumente publike dhe financiare me qëllim rritjen e transparencës me publikun, por edhe informimin e stafit menaxherial dhe politik lidhur me lajmet që kanë të bëjnë me arsimin.
Në bazë të kompetencave të veta ligjore dhe pa njohurinë e kabinetit, DKP ka përgatitur gjithë procedurën për këtë tender. Lëshimi ka ndodhur për shkak të zgjedhjes së termave joadekuat dhe duke qenë i paqëllimshëm, DKP u kërkon falje mediave dhe qytetarëve të Kosovës.
Monitorimi i mediave është detyrë të cilën, Divizioni për Komunikim Publik (DKP) e kryen për shumë vite dhe kjo i ka shërbyer në vazhdimësi MAShTI-t për t’a mbajtur të informuar për lajmet që kanë të bëjnë me arsimin në Kosovë dhe asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është qëllim i MAShTI-it për t’i kritikuar mediat lidhur me lajmet që i publikojnë, apo për të ndikuar në politikat e tyre redaktoriale.
Divizioni ka kohë që funksionon me numër të vogël të zyrtarëve dhe duke qenë se muaj më parë edhe një zyrtare e Divizionit është transferuar në një ministri tjetër, ka krijuar vështirësi edhe më të mëdha në funksionimin e tij.
Prandaj, duke ju kërkuar falje, kërkojmë mirëkuptimin e mediave dhe qytetarëve për këtë lëshim të paqëllimshëm.
Me respekt,
Divizioni për Komunikim Publik
Last modified: 24 Maj, 2024