MASHT

MINISTRJA NAGAVCI TAKOI ANËTARËT E USKEB, BISEDUAN PËR ZBATUESHMËRINË E PROGRAMIT FULBRIGHT

30 Janar, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të MAShTI, kanë pritur në takim Këshilltare për Marrëdhënie me Publikub në Ambasadën amerikane, Jannifer Lawson dhe anëtarët e Bordit për Shkëmbim Arsimor SHBA-Kosovë (USKEB-United States Kosovo Educational Exchange Board), me të cilët diskutuan për zbatimin e marrëveshjes me Ambasadën Amerikane-Programin Fulbright, i cili e rendit Kosovën në vendin numër një në botë për shumën e bashkëfinancimit për kokë banori.

Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, Kosova dhe Ambasada Amerikane kanë një bashkëpunim shumëvjeçar në fushën e arsimit, ndërsa e falënderoi znj. Lawson për përkrahjen e madhe amerikane në arsimin e lartë, duke qenë se kjo fushë është një nga prioritetet e Qeverisë dhe është renditur si objektiva e katërt në Strategjinë e Arsimit 2022-2026.

Ministrja Nagavci u shpreh e lumtur që përmes programit Fulbright studentëve iu kanë hapur rrugë për studime në institucione prestigjioze amerikane dhe për ecurinë e zbatimit të Programit deri në këtë fazë.

Këshilltarja për Marrëdhënie me Publikun në Ambasadën amerikane, Jannifer Lawson falënderoi ministren Nagavci që e ka mirëpritur në takim, ndërsa vlerësoi gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar, veçanërisht sa i përket zbatueshmërisë së Programit Fulbright.

Ajo tha se, mbikëqyrësit e zbatimit të Programit po e shohin si model të suksesshëm themelimin e Bordit, i pari i këtij lloji, i cili është duke treguar rezultate të mira në praktikë.

Laxson u shpreh e gatshme që të vazhdohet kjo dinamikë e bashkëpunimit, duke thënë se ky është një manifestim i mrekullueshëm për të treguar partneritetin ndërmjet dy vendeve, ndërsa foli edhe për organizmin e një trajnimi në vendet evropiane i cili do të mbahet në muajin prill, të cilit tha se do ti bashkohet edhe Kosova.

Programi Fulbright për Kosovën sipas marrëveshjes të arritur ndërmjet MASHTI-it dhe Ambasadës Amerikane (2021-2025/2026), në kuadër të zbatimit ka paraparë edhe themelimin e Bordit për Shkëmbim Arsimor SHBA Kosovë (USKEB-United States Kosovo Educational Exchange Board), i cili është duke kontribuar pozitivisht në avancimin e kontributit binacional dhe implementimin e suksesshëm të programeve të shkëmbimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Bordi këshillon dhe asiston në prioritizimin e resurseve dhe programeve të shkëmbimit në arsimin e lartë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës. Bordi si strukturë unike është i vetëm i këtij lloji në botë dhe funksionon në baza vullnetare me përfaqësim nga akademia, shoqëria civile, alumi, ambasada amerikane dhe ministria e arsimit. USKEB si etnitet i ri tani më ka zgjuar interesimin e vendeve tjera për ta marrë Kosovën si model.

Në kuadër të këtij programi bashkëpunimi ndërmjet MAShTI dhe Ambasadës Amerikane përfitojnë mbi 40 qytatar në baza vjetore përmes shkëmbimeve akademike nga Kosova në SHBA dhe anasjelltas. Kjo është shumë e rëndësishme për promovimin e Kosovës në fushën e diplomacisë arsimore, në shumë vende të botës.

Last modified: 29 Shkurt, 2024