Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë vënë gurthemelin e çerdhes në fshatin Godanc të Shtimes.
Me këtë rast, kryeministri Kurti, pasi që theksoi rëndësinë e edukimit në fëmijërinë e hershme, tha se vënia e këtij gurthemeli paraqet përkushtimin e Qeverisë, MAShTI-t dhe Komunës për të investuar dhe për t’u përkujdesur për fëmijët që janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit.
Pasi që theksoi faktin se deri tash janë investuar 10. 7 milion euro per çerdhe dhe 5 milion të tjera nga Fondi IPA, tha se kjo çerdhe është e 31-ta në mesin e atyre që i kemi ndërtuar dhe renovuar.
Ndërkaq, ministrja Nagavci theksoi se, përveç vënies së gurthemelit në Godanc, në fillim të muajit të ardhshëm do të finalizohet edhe çerdhja në Myzeqinë, ndërsa është paraparë edhe nje çerdhe në Petrovë.
Ministrja tha se në 6 çerdhe do të vendosen gurethemelet në javët në vijim, ndërsa theksoi se synim i qeverisjes është që çerdhet të ndërtohen edhe ne zonat rurale për të ofruar më shumë mundësi për punësim dhe angazhimet e tjera profesionale për nënat.
Po ashtu, ministrja inkurajoi kryetarët e komunave që të identofikojnë lokacionet dhe t’i sjellin në Ministri të dhënat e nevojshme, pasi që tha se jemi të gatshëm të investojmë ne secilën prej komunave që e kanë të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, theksoi rëndësinë që ka kjo çerdhe që po fillon të ndërtohet për fëmijët, prindërit dhe gjithë komunitetin.
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Godanc është investim i Ministrisë së Arsimit dhe kap vlerën mbi 400 mijë euro. Objekti i çerdhes parashihet të ketë sipërfaqe 756 metra katror, 5 klasa për fëmijë të grupmoshave 9 muaj deri 5 vjeç dhe të gjitha pjesët përcjellëse të nevojshme.
Last modified: 20 Tetor, 2023