Në një tryezë me temë “Xhudo në shkolla” të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mbështetur nga MASHTI dhe MAPL u diskutua për shkëmbimin e përvojave me shtetin kroat mbi integrimin e xhudos në arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe reflektimin e përbashkët rreth hapave të radhës.
Me këtë rast, Presidentja e Federatës së Xhudos së Kroacisë, Sanda Čorak, prezantoi programin e tyre për integrimin e xhudos në sistemin shkollor, përvojë e cila do të shërbejë si një rast studimor për Kosovën.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/06/7382B086-7BE7-4E73-9E8F-07AE1228A6F9-1024x683.jpeg)
Dy ministrat Hajrulla Çeku dhe Elbert Krasniqi, Nedjeljko Špilek – zëvendës Ambasador i Kroacisë në Kosovë, Romana Kerep-Menaxhere e Projektit në Federatën Kroate të Xhudos, Klodeta Krasniqi – shefe e kabinetit në MKRS, Bora Shpuza – shefe e kabinetit në MASHT, përfaqësues nga Federata e Xhudos së Kosovës, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova si dhe zyrtarë nga niveli qendror dhe lokal diskutuan për rezultatet dhe sfidat përgjatë zbatimit të programit në Kosovë.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/06/292BADDB-8E62-469C-8586-69933DB189D9-1024x683.jpeg)
Vitin e kaluar ka nisur zbatimi i programit “Kosova, shtet i xhudos”, synimi i të cilit është integrimi i xhudos si aktivitet sportiv ekstrakurikular në arsimin fillor dhe të mesëm.
Për 6 muaj, janë krijuar partneritete me 4 komuna ku janë zhvilluar demonstrime të xhudos para mijërave nxënësve të mbi 20 shkollave të ndryshme. Po ashtu, është hapur seksioni i xhudos në shkollën speciale për të verbër dhe me shikim të dobët në Pejë ku aktualisht po trajnohen 5 nxënës.
Institucion përgjegjës për koordinimin e zbatimit të programit “Kosova, shtet i xhudos”, është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Federatën e Xhudos së Kosovës, Federatën Ndërkombëtare të Xhudos, Federatën Evropiane të Xhudos, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Mbrojtjes, Komunave, shkollave dhe klubet sportive të xhudos.
![](https://masht.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/06/C3E6ACA1-B7E2-4C50-BE2D-424F96B838B5-1024x683.jpeg)
Last modified: 22 Qershor, 2023