MASHT

PËRUROHET SHKOLLA E RE DHE SALLA E EDUKATËS FIZIKE NË BATLLAVË DHE VIHET GURËTHEMELI I SHKOLLËS NË LLUGA TË PODUJEVËS

8 Shtator, 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi kanë vënë gurëthemelin për ndërtimin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Ilir Konushevci” në fshatin Lluga të Podujevës. Më pas, ata kanë vazhduar në fshatin Batllavë, ku është përuruar Salla e Edukatës Fizike në shkollën amë “Luigj Gurakuqi”, e po ashtu edhe objekti i paraleles së ndarë të kësaj shkolle.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti uroi mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe banorët e dy fshatërave, ndërsa tha se po punojmë me një qasje shumëdimensionale që ta përmirësojmë arsimin në vend.

Pasi që theksoi rolin e pazëvendësueshëm të mësimdhënësit, kryeministri Kurti foli për investimet dhe veprimet konkrete që janë bërë dhe ato që janë në proces, ndër të cilat edhe pakoja e fundit e Qeverisë për mbështetjen e qytetarëve, përfshirë edhe mësuesit.

Ndërsa, ministrja Arbërie Nagavci ka theksuar se arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës është prioritet i kësaj qeverisje, ndërsa tha se krahas politikave arsimore, po vazhdojmë ta përmirësojmë infrastrukturën shkollore gjithandej kur e dimë rolin e rëndësishëm që ka ambienti shkollor në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Ministrja Nagavci tha se po punohet me përkushtim të madh në shumë drejtime, në mënyrë që secila shkollë, secili mësues në Kosovë, të jetë i gatshëm dhe i motivuar për t’i ndihmuar secilit fëmijë që të shfrytëzojë potencialin e tij të plotë.

Ministrja uroi që nga këto shkolla që bartin emra të mëdhenj të historisë, të dalin nxënës që do të konkurrojnë me moshatarët e tyre kudo në botë me shkathtësi e kompetenca.

Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci bënë thirrje që mësimdhënësit të jenë pranë nxënësve dhe të mos humben ditë mësimi.

Investimet e MAShTI për shkollën “Luigj Gurakuqi”, e cila ka 570 nxënës (objekti i paraleles së ndarë, Salla e Edukatës Fizike), arrijnë vlerën 984 mijë e 158 euro. Objekti i shkollës ka 9+1 dhoma mësimi me sipërfaqe të përgjithshme 1100 m², me kthina përcjellëse, si dhe sallë të edukatës fizike me sipërfaqe të përgjithshme 700m². Po ashtu, është bërë edhe rregullimi i oborrit duke përfshirë pjesën gjelbëruese, parterin dhe terrenin e jashtëm sportiv.

Edhe shkolla “Ilir Konushevci”, gurëthemeli i së cilës u vu sot, e ku vijojnë mësimet 450 nxënës, është planifikuar të shoqërohet me ndërtimin e sallës së edukatës fizike, kabinete dhe hapësira tjera përcjellëse, në total prej 1800m².

Last modified: 8 Shtator, 2022