MASHT

Ministri Buja u takua me kryeministrin e Shqipërisë

5 Shkurt, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri është takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, me të cilin ka biseduar për arsimin e të dy shteteve, me theks të veçantë përafrimin e kurrikulave parauniversitare.

Gjatë takimit u fol edhe për mundësitë e njohjes së diplomave të studentëve kosovarë, të cilët kanë mbaruar studimet në universitet e Shqipërisë, por që nuk kanë qenë të akredituara nga agjencionet, të cilat janë kompetente dhe të njohura ndërkombëtarisht për këtë çështje.

“Me kryeministrin Rama biseduam për kurrikulën e përbashkët, e cila do të realizohet duke e pasur parasysh gjithmonë ngritjen e cilësisë së arsimit në të dy vendet tona”, theksoi ministri Buja, ndërsa tha se me kryeministrin Rama ka biseduar edhe për diplomat e përbashkëta, që mund të realizohen me marrëveshje ndëruniversitare, por edhe për problemin e njohjes së diplomave.

“Shpresojmë se problemi i diplomave do të zgjidhet shumë shpejt, sepse u tha se deri në muajin qershor, do të verifikohen të gjitha institucionet e arsimit privat të Shqipërisë dhe do të akreditohen ato që plotësojnë kriteret”, tha ministri Buja.

Sipas ministrit Buja, qëllimi i përbashkët i të dy vendeve është që të krijohen mundësitë edhe për hartimin e teksteve të përbashkëta, e krahas kësaj rritjen e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet konform standardeve evropiane.

Gjatë vizitës në Tiranë, ministri Buja është takuar edhe me ministren e Arsimit të Shqipërisë, znj.Lindita Nikolla, më të cilën bisedoi lidhur me përafrimin e Kurrikulave për Arsimin Parauniversitar, njohjen e diplomave të arsimit të lartë privat si dhe për njohjen diplomave të përbashkëta Kosovë-Shqipëri.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.