Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë , z .Ramë Buja , me bashkëpunëtorë, ka vizituar Universitetin Publik “Fehmi Agani ” në Gjakovë, ku nga menaxhmenti i këtij universiteti u njoftua për ecurinë e punëve në vitin e parë akademik, ndërkaq ofroi gatishmërinë e MAShT dhe Qeverisë së Kosovës për të përkrahur këtë universitet.
“Ne jemi të gatshëm ta përkrahim Universitetin ‘Fehmi Agani’ për të ecur drejt arsimit bashkëkohor evropian”, tha ministri Buja .
Ministri dhe anëtarët e Këshillit Drejtues biseduan edhe për zgjedhjet e të gjitha niveleve që duhet të bëhen në këtë institucion, si dhe për plotësimin e kuadrit mësimor në disa njësi akademike.
Ministri Buja pati një takim edhe me stafin akademik, të cilët i njoftoi se Universiteti i Gjakovës do të ketë edhe “Kampusin Universitar” dhe u shpreh i bindur se me këtë do të krijohen mundësi më solide për punë të suksesshme kërkimore, shkencore në të ardhmen.
Ministri Buja ka vizituar edhe ambientet e administratës së Universitetit, si dhe laboratorët e shkencave të natyrës dhe të teknologjisë informative.
Last modified: 1 Shtator, 2022