MASHT

Zv/ministri Mustafa në përmbylljen e projektit “Gjithëpërfshirja sociale në arsimin profesional”

7 Maj, 2014

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Nehat Mustafa mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “SIVET- Gjithëpërfshirja sociale në arsimin dhe aftësimin profesional”, i cili është realizuar nga Kultur Contact Austria, në pesë shkolla profesionale në Kosovë.

Zëvendësministri Mustafa, me këtë rast the se, çështja e gjithëpërfshirjes është obligim kushtetues që e ka Republika e Kosovës, për arsye se këtë e parashohin edhe Ligji për Arsimin Parauniversitar dhe Ligji për Arsimin e Lartë, por në të njëjtën kohë është edhe pjesë e Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2011- 2016.

Zv/ministri Mustafa, theksoi se MAShT e ka mirëpritur këtë projekt të Austrisë, duke ditur se përfitimet e shkollave do të jenë të mëdha.

“Shkollat, të cilat janë përzgjedhur në këtë projekt kanë arritur me sukses t’i përvetësojnë praktikat që janë ofruar prej grupit të ekspertëve”, u shpreh zv/ministri Mustafa, i cili theksoi se ky program është njëri nga trajnimet, që është akredituar në afat rekord. Ndërsa, ai foli edhe për ndihmën e jashtëzakonshme që Qeveria e Austrisë i ka bërë sektorit të arsimit në Kosovë përmes njohjes së diplomave, ndarjes së bursave për studime, e së fundi edhe përmes projektit prej 5 milion euro, i cili parashihet të shfrytëzohet për digjitalizimin e maturës dhe vlerësimeve të tjera të jashtme që organizon Ministria e Arsimit.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger tha se, ky projekt është një eksperiencë e mirë për nxënësit dhe mësimdhënësit, sa i përket krijimit të një klime shkollore gjithëpërfshirëse në aspektin shoqëror.

Projekti “SIVET- Gjithëpërfshirja sociale në arsimin dhe aftësimin profesional”, përkrahë përpjekjet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për krijimin e mundësive dhe për promovimin e gjithëpërfshirjes në arsimin dhe aftësimin profesional, në linjë me prioritetet e Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2011- 2016.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.