MASHT

Zv/ministri Mustafa priti përfaqësues të Federatës Botërore të të Shurdhërve

8 Maj, 2014

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Nehat Mustafa ka pritur sot në takim kryetarin e Federatës Botërore të të Shurdhërve (FBSh), z. Colin Alen dhe përfaqësuesit e Forumit Kosovar për Persona me Aftësi të Kufizuara (FKPAK), të kryesuar nga z. Bujar Kadriu.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth përmirësimit të kualitetit të edukimit për personat me nevoja të veçanta, me theks të veçantë kualifikimit të njohësve të gjuhës së shenjave dhe sigurimit të qasjes së barabartë për të gjithë në arsim.

Zv/ministri Mustafa, me këtë rast tha se, gatishmëria e Ministrisë së Arsimit për avancimin e arsimimit të personave me nevoja të veçanta është jashtëzakonisht e madhe dhe në këtë drejtim është bërë një punë, e cila ka filluar të japë rezultatetet e saj.

“Dëshmia më e mirë e përkushtimit tonë në këtë drejtim është fakti se gjithëpërfshirja nuk do të lejohet që të shikohet më si dëshirë e dikujt, për ta përmbushur apo jo, por do t’ua bëjmë me dije qytetarëve të Republikës së Kosovës se gjithëpërfshirja është edhe obligim kushtetues, ligjor dhe konform dokumenteve strategjike të Ministrisë së Arsimit”, u shpreh ai.

Zv/ministri Mustafa rikujtoi se, MAShT ka edhe një Memorandum Bashkëpunimi me FKPAK për bashkëpunim në disa fusha, ndërkaq u zotua se ky bashkëpunim do të intensifikohet në të ardhmen.

Kryetari i Federatës Botërore të të Shurdhërve, Colin Alen theksoi se e gëzon fakti që në Kosovë ekziston një bashkëpunim i ngushtë në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Forumit Kosovar për Persona me Aftësi të Kufizuara, gjë që ka bërë që arsimi gjithëpërfshirës në Kosovë të jetë i suksesshëm.

Z. Alen, po ashtu tha se, FBSh është duke përkrahur projektin për asistentë në klasë për fëmijët e shurdhër.
Ndërsa, Bujar Kadriu, kryetar i FKPAK tha se, Kosova është ndër vendet e para në rajon, sa i përket avancimit të gjuhës së shenjave.

Federata Botërore e të Shurdhërve përfaqëson 183 shtete të botës, anëtare e së cilës është edhe Kosova.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.