MASHT

S Q A R I M

6 Gusht, 2014

Ministri i Financave, z. Besim Beqaj, është takuar sot me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe me u.d. rektorin e Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, ku u diskutua lidhur me gjendjen buxhetore të UP-së.

Pas shkrimeve të fundit në disa media se Universiteti Publik “Hasan Prishtina” do të përfshihet nga kriza financiare, pas vendimit të Qeverisë për uljen e tarifave për regjistrimin e studentëve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Financave, njoftojnë opinion publik, e në veçanti studentët, profesorët dhe të gjithë stafin e Universitetit Publik të Prishtinës se nuk do të ketë probleme financiare dhe në asnjë mënyre nuk do të cenohen pagat e profesorëve universitarë dhe shpenzimet kapitale siç janë të planifikuara në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për uljen e tarifave për regjistrim të studentëve për 50 për qind, si dhe për të gjithë ata që do të regjistrohen ketë vit, ku regjistrimi do të ju mundësohet falas, është vendim i mirëpritur nga të gjithë studentët. Dëshirojmë të theksojmë se ky vendim nuk do të ndikojë aspak në funksionalitetin e Universitetit të Prishtinës, pasi që Qeveria e Kosovës do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme konform kapaciteteve buxhetore.

MAShT është në koordinim të plotë me Ministrinë e Financave dhe Rektoratin e UP-së, për të menaxhuar situatën, e cila do të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e studentëve dhe familjeve të tyre.

Last modified: 1 Shtator, 2022