Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka organizuar Konferencën me temën “Arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë”, e cila ka mbledhur sot në Prishtinë akterët relevantë që punojnë në fushën e arsimit gjithëpërfshirës.
Ministri i Arsimit, z. Arsim Bajrami, tha se arsimi gjithëpërfshirës dhe cilësor është një prioritet i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse një sistem arsimor i avancuar, gjithëpërfshirës dhe cilësor është një objektivë parësore e Kosovës për të ndërtuar standardet e një shoqërie demokratike, e cila investon në të ardhmen e saj.
“Qasja në arsim sot është elementare për një shoqëri demokratike, civilizuese, për një shoqëri që aspiron të bëhet shoqëri e dijes dhe standardeve, e diversiteteve dhe kulturës”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se sektori i edukimit duhet të mundësojë që secili fëmijë të merret nën kujdesin e shtetit përmes procesit të gjithëpërfshirjes nga niveli 0 deri të edukimi universitar.
Ministri Bajrami tha se po aq sa është e rëndësishme gjithwpërfshirja, është e rëndësishme edhe ngritja e cilësisë, ndërsa theksoi se për ta krijuar një sistem cilësor duhet të investojmë më së shumti te mësimdhënësit tanë, të cilët kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.
Ministri tha se kemi evidentuar problemet në sistemin tonë të arsimit, duke përfshirë këtu edhe fëmijët e komunitetit pakicë, sidomos komunitetet e rrezikuara. “Tani përmes gjithëpërfshirjes ne mund të promovojmë politikat tona të barazisë etike, të diversitetit fetar, të ofrimit të një edukimi pozitiv”, tha ai, ndërsa theksoi se fëmijët tanë duhet të përgatiten për shekullin 21, që është shekull i sfidave.
Ministri Bajrami falënderoi edhe Projektin e Binjakëzimit të BE-së si një partner strategjik i MAShT dhe tha se së bashku është punuar një dokument strategjik: “Strategjia kombëtare për ngritjen e cilësisë”. i cili tashmë ka filluar të implementohet
“Jam i sigurt se kjo Konferencë dyditore do të nxjerrë konkluza shumë të rëndësishme që ne si Qeveri dhe Ministri e Arsimit do t’i marrim si udhërrëfim për të ndërtuar politika tw mira, të cilat do të avancojnë sektorin e arsimit”, tha ministri Bajrami.
Konferencën e ka nderuar me pjesëmarrjen e saj edhe ish presidentja e Finlandës, znj. Tarja Halonen, e cila foli për praktikat dhe përvojat e sistemit arsimor të Finlandës, ndërsa tha se Kosova ka mundësi të mëdha për të marrë modelet më të mira të vendeve të tjera.
“Ne të gjithë pajtohemi që edukimi është tejet qenësor për të dyja palët: individët dhe kombet. E ardhmja e vendeve ndërtohet mbi bazën e cilësisë së edukimit. Sigurisht, është mënyra më efektive për të ndikuar në vendet e reja dhe moshat e reja më shumë se gjithwçka tjetër. Në këtë kuadër, komuniteti ynë gjithkund do të adoptojw një sistem të qëndrueshëm universal të zhvillimit arsimor, si pjesë e Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara, në fund të këtij muaji”, tha ajo.
Ndërsa, përfaqësuesi i Projektit të Binjakëzimit i BE-së, z. Kirsi Lindroos theksoi rëndësinë e investimit në arsim për të pasur një sistem gjithëpërfshirës.
Konferenca, punimet e së cilës do të zgjasin dy ditë, do të pasqyrojë të arriturat dhe sfidat në fushën e politikave dhe praktikave të arsimit gjithëpërfshirës, ofrimin e mundësive të shkëmbimit të përvojave vendore dhe ndërkombëtare në fushën e arsimit gjithëpërfshirës, si dhe rritjen e vetëdijes së të gjithë faktorëve relevantë për konceptin dhe filozofinë e arsimit gjithëpërfshirës.
Konferencën e mbështesin parterët Projekti i Binjakëzimit–BE dhe Projekti KAPIE që financohet nga Ambasada e Finlandës.
Last modified: 31 Gusht, 2022