MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në konferencën “Përkrahja Rajonale për Edukim Gjithëpërfshirës”

9 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në konferencën “Përkrahja Rajonale për Edukim Gjithëpërfshirës”, në të cilën të pranishëm ishin edhe prindër, nxënës dhe mësimdhënës të shkollave përfituese të projektit, i cili promovon rëndësinë e integrimit të plotë të nxënësve në shkolla.

Ministri Bajrami, theksoi se ky projekt fokuson përkushtimin e MAShT- it, jo vetëm në gjithëpërfshirje, duke qenë se gjithëpërfshirja është një proces i obligueshëm, por edhe në krijimin e një sistemi cilësor të arsimit.

Ministri Bajrami po ashtu foli edhe për nevojën e krijimit të partneritetit që shkolla duhet të ketë me prindërit, me komunitetin dhe bizneset, në mënyrë që sistemi arsimor ti përshtatet nevojave të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit të shoqërisë së Kosovës.

“Jemi të interesuar që shkolla jonë të jetë një institucion ku bëhet jo vetëm edukimi i fëmijëve, por edhe ndërtimi i personalitetit të tyre, në mënyrë që fëmijët tanë në të ardhmen të jenë një gjeneratë e cila merr përsipër bartjen e proceseve të zhvillimit ekonomik, tranzicionit demokratik dhe krijimit të një edukimi pozitiv, të bazuar në vlerat qytetëruese dhe në parimin e tolerancës dhe mirëkuptimit”, tha ministri Bajrami.

Ndër të tjera, ministri Bajrami tha se, gjithëpërfshirja nënkupton një fokusim të përgjithshëm të familjeve, shkollave, shoqërisë dhe shtetit, në përfshirjen e plotë dhe integrimin e çdo fëmije në sistemin arsimor.

Last modified: 31 Gusht, 2022