MASHT

JANË BËRË TË GJITHA PËRGATITJET PËR FILLIMIN E VITIT TË RI SHKOLLOR-MINISTRJA NAGAVCI FTON TË GJITHË AKTERËT TË MOBILIZOHEN PËR FILLIM TË MBARË

31 Gusht, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në konferencën e mbajtur për media bëri të ditur se, MAShTI në koordinim me komunat i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor, i cili zyrtarisht fillon nesër më 1 shtator.

Me këtë rast, Nagavci tha se është bërë shpërndarja e teksteve mësimore dhe këtë vit shkollor të gjithë nxënësit do të pajisen komplet me tekste të reja dhe pas një përkushtimi të madh të dy qeverive, nga ky vit mësimor të gjithë vogëlushët shqiptar do të mësojnë me të njejtën abetare, e cila do të lansohet nesër, bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë.

Ministrja Nagavci ftoi prindërit, mësimdhënësit, nxënësit që të gjithë së bashku të mobilizohen për fillim të mbarë të vitit shkollor.

Ndër të tjera, Nagavci theksoi se, gjatë mandatit të saj si ministre janë përfshirë thuajse të gjitha kërkesat që kanë qenë për sigurinë dhe mirëqenien e stafit arsimor dhe se i janë përgjigjur çdo kërkese të sindikatës për takime, ndërsa shtoi se, anëtarët e SBAShK-ut janë pjesë e këshillave dhe grupeve punuese në Ministri dhe pjesë e vendimmarjes së politikave të MAShTI.

Duke folur për Projektligjin për Paga, Nagavci tha se ky Projektligj tashmë është në diskutim paraprak dhe se janë marrë parasysh të gjitha propozimet e saj si Ministre dhe punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe është përmimirësuar pozicionimi i punëtorëve të cilët ishin diskriminuar në ligjin e kaluar.

Ajo ritheksoi se, arsimi është një nga prioritetet në programin qeverisës dhe kjo është dëshmuar me rritje të buxhetit për arsim, me avancim të politikave, me punë tejet efektive në përmirësim tē legjislacionit dhe adresim të sfidave me të cilat ballafaqohemi çdo ditë.

Ndër të tjera, Nagavci theks të veçantë i kushtoi edhe çështjes së sigurisë në shkolla, teksa tha se, si Ministre e këtij dikasteri është i pazëvendësueshëm roli i institucioneve edukativo-arsimore në zh0villimin e një shoqërie ku fëmijët tanë ndihen të lirë, të sigurtë dhe të barabartë pa dallim.

Në lidhje me këtë ajo bëri të ditur se, MAShTI ka themeluar Forumin Nacional për Shkollat Miqësore ‘Rritemi Bashkë’, një trup i integruar shumëpalësh i arsimit, sigurisë, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale që avokon, promovon e koordinon zbatimin e politikave të sigurisë dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve.

Last modified: 31 Gusht, 2022