Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka mërr pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik të Kolegjit Fama , ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë z. Greg Delawie.
Kolegji FAMA përveç se ka filluar zyrtarisht vitin e ri akademik, ka promovuar sot programin Master “ Administrim të Biznesit “ , program ky i cili do të zhvillohet në partneritet me Universitetin e Ilinois (SHBA) .
Me këtë rast , ministri Bajrami është shprehur se Kolegji FAMA është ndër kolegjet e para private në Kosovë, i cili ka ndikuar shumë në përgatitjen e kuadrove dhe me përgatitjen e studentëve në disa drejtime dhe kësisoj ka arsyetuar funksionimin e vet duke ofruar një Arsim privat cilësor.
Tani Kosova ka nevojë për një Arsim të lartë cilësor, për universitete të forta, për kolegje private të forta, të specializuara për tregun e punës dhe kjo është gjëja më e mirë që i duhet një vendi me popullsisë së re, siç është Kosova.
“Qeveria e Kosovës i trajton kolegjet private plotësisht të barabarta me universitetet publike dhe kolegjet private janë një mundësi e mirë e krijimit të një konkurrence pozitive që në Republikën e Kosovës të kemi një garë të barabartë për cilësi” theksoi ministri Bajrami.
Në vazhdim, ministri Bajrami tha se ne jemi duke e zhvilluar një reformë në arsimin e lartë dhe dëshirojmë që nga logjika e masës të kalojmë në logjikën e cilësisë. Kemi universitete publike që duhet të specializohen, duhet të krijojnë treg të punës dhe diploma të respektuara dhe kolegjet private janë një mundësi e shkëlqyeshme që të ecin më shpejt drejt nevojave të tregut të punës, kërkesave që ka biznesi.
Ministri Bajrami, ka mbështetur partneritetin e Kolegjit FAMA me Universitetin e Ilinois i-t, njëherësh ka ftuar kolegjet tjera private që të krijojnë partneritetet të ngjashme me universitet prestigjioze të vendeve të zhvilluara me qëllim të ofrimit të programeve atraktive dhe cilësore për studentët tanë.
“ Dëshiroj të falënderoj edhe Qeverinë Amerikane që është ndër donatorët kryesorë të sektorit të arsimit. Ne jemi duke implementuar projekte shumë të mëdha që janë kontribute të popullit amerikan për të rinjtë dhe studentët tanë. Ne kemi dërguar rreth 180 studentë në studimet master në universitetet më të mira amerikane dhe mezi që presim të kthehen të bëhen pjesë e jetës akademike, e lidershipit dhe të ndihmojnë në këtë tranziocion që po e kalon Kosova” tha në fund ministri Bajrami .
Last modified: 31 Gusht, 2022