MASHT

U ndanë bursa për shkollim për 500 nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian

20 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së bursave për 500 nxënës të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët vijojnë mësimin nga klasa e 10 deri në klasë e 12.
 
Me këtë rast, ministri Bajrami, ndër tjera tha se  Republika e Kosovës është zotuar që të integrojë  fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në sistemin tonë arsimor.
 
“Ne jemi zotuar që të zhvillojmë politika proaktive, që asnjë fëmijë i këtyre komuniteteve të mos mbetet pa kujdesin e shtetit, që secili fëmijë të jetë nën kujdesin e shkollave tona, sepse ju jeni qytetarë të barabartë të Kosovës”, tha ministri Bajrami.


 
Ministri Bajrami iu tha nxënësve përfitues të bursave se duke vijuar shkollimin nesër do te bëhen qytetarë të dobishëm të Kosovës. “Do të jeni krenarë për identitetin tuaj dhe të dobishëm për vete, familjet tuaja dhe shtetin, e dera e shkollave dhe universiteteve do të jetë e hapur për ju”, tha ministri Bajrami.
 
Fakti se ky është projekti më i madh i bursave, tha ministri Bajrami, tregon se MAShT, ka për qëllim që këta fëmijë t’i marrë në përkujdesje.
 
Të pranishmit i përshëndetën edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, z. Ruairi O`Conell, ambasadorja e Zvicrës, znj. Krystyna Marty Lang, të cilët gjithashtu e vlerësuan shumë domethënëse ndarjen e bursave për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, njëherësh së bashku me ministrin Bajrami, në mënyrë simbolike ndanë bursa për disa nxënës të pranishëm në këtë ceremoni.

Programi i bursave për vitin shkollor 2015/2016, është mbështetur edhe nga “Roma Education Fund” në Budapest, “Swiss Office for Cooperation”, “Swiss Foundation HEKS”, Ambasada Britaneze në Kosovë dhe Ambasada Norvegjeze në Kosovë.

Last modified: 31 Gusht, 2022