Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, ka përuruar sot shkollën e mesme profesionale në Shirokë të Suharekës, e cila është investim i MAShT.
Ministri Buja, me këtë rast, theksoi rëndësinë e ambientit të mirë shkollor. “Objektet e reja shkollore ndikojnë pozitivisht në mësimdhënie dhe mësimnxënie, dhe këtu mund të flasim edhe për cilësinë e avancuar”, tha ministri Buja.
Përveç ndërtimit të shkollave të reja, ministri Buja theksoi se është bërë edhe më shumë për ngritjen e cilësisë në arsim dhe në këtë drejtim përmendi Kurrikulën e re. “Ju e dini se Kurrikula jonë është bërë shembull edhe për rajonin, ndërsa Shqipëria e ka imituar qind për qind”, tha ministri Buja.
“Ky objekt shkollor na avancon të gjithëve, sepse shkollat profesionale kërkohen jo vetëm në Kosovë e rajon, por edhe më gjerë. Prandaj, ju nxënës të dashur jeni të privilegjuar”, tha ministri Buja dhe theksoi se kjo shkollë, për të cilën MAShT ka investuar 2,287.467.14 euro dhe 55 mijë euro të tjera për inventarë, do të nxjerrë kuadro jo vetëm për tregun kosovar, por edhe për atë jashtë vendit.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllani, falënderoi MAShT-in për këtë investim dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të shkollave të reja, me theks të veçantë shkollave profesionale.
Hapësira e objektit shkollor ka një sipërfaqe bruto prej 6,318.90 m², me sallë të edukatës fizike, si dhe terrenet e jashtme sportive, hapësirat gjelbëruese, etj.
Objekti shkollor përmban këto kthina: 20 dhoma të mësimit, 8 kabinete (laboratorë), 4 laboratorë, sallën e arsimtarëve, kthinat administrative, kthina e bibliotekës me leximore, kthina e psikologut, kthina e mjekut të shkollës, kthina të personelit, bufeja e shkollës, si dhe hapësira tjera përcjellëse.
Last modified: 31 Gusht, 2022