MASHT

Ministri Bajrami vizitoi nxënësit gjatë pilotimit të Maturës digjitale (e-matura)

30 Tetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami vizitoi “Shkollën e Gjelbër” në Prishtinë, ku po mbahej pilotimi i e-maturës me 20 nxënës të  klasës së XI-të, të gjimnazit “Sami Frashëri”, drejtimi i shkencave natyrore.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka vlerësuar se, Kosova është ndër shtetet e para të rajonit, e cila është e vendosur që ta digjitalizojë Provimin e Maturës.

“Ministria e Arsimit ka filluar pilotimin e e-maturës. Ky është projekti i parë në rajon dhe rezultatet e para janë jashtëzakonisht inkurajuese. Është diçka që po pranohet shumë mirë nga nxënësit dhe ky mekanizëm do të mundësojë një menaxhim shumë më profesional të Maturës, një paanshmëri dhe një objektivitet”, ka theksuar ministri Bajrami.

Ministri Bajrami tha se, procesi i pilotimit të e-maturës do të krijojë mundësi për ndryshime të nevojshme, në mënyrë që provimi digjital të jetë sa më i përshtatshëm për nxënësit.

Ministri Bajrami, po ashtu vlerësoi se, e-matura është ndër proceset më të rëndësishme në arsimin parauniversitar.  “Ligji që do të miratohet këto ditë në Kuvendin e Kosovës parasheh maturën digjitale dhe ne po punojmë shumë me kujdes në procesin e pilotimit, në mënyrë që pastaj të vendoset në sistem. Natyrisht, për ta bërë funksional në nivelin kombëtar na duhet infrastrukturë dhe mekanizma, por ne jemi të vedosur që të shkojmë drejt maturës digjitale dhe të mundësojmë një instrument të fuqishëm të vlerësimit të njohurive të nxënësve”, u shpreh ministri.

Ndryshe, nxënësit të cilët janë përfshirë në këtë proces i janë nënshtruar 50 pyetjeve, në një kohë prej 60 minuta, ku paraprakisht është plotësuar një pyetësor që ka zgjatë 15 minuta.

Gjatë gjithë kohës së testimit, procesi është monitoruar nga 3 ekspertë të Bit-Austria dhe 3 ekspertë të Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim.

Nga ky proces do të nxirren konkluzione për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm  të digjitalizimit të Maturës Shtetërore (e-matura).

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.