MASHT

Ministri Bajrami priti grupin e studentëve të cilët do të marrin pjesë në konferencën e Harvardit

4 Shkurt, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur në takim grupin e studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në konferencën Harvard National Model United Nations (HNMUN) 2016, e organizuar nga Universiteti Harvard në ShBA.

Në konferencën Harvard National Model United Nations (HNMUN) 2016, pritet të marrin pjesë rreth 3 mijë studentë, përfaqësues të universiteteve nga vende të ndryshme të botës.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka vlerësuar se Kosova ka të rinjë inteligjentë dhe të talentuar, të cilët meritojnë t ‘ u ofrohen mundësitë për zhvillimin e tyre në karrierë dhe arritje kulminante në fushat ku ata janë përcaktuar.

“Kisha kënaqësinë që të pres grupin e studentëve të UP-së, të cilët do të udhëtojnë në Shtetete e Bashkuara të Amerikës, në Uashington dhe Boston ku do tëpërfaqësojnë Kosovën duke prezantuar shkathtësitë. Kemi një gjeneratë të përgatitur dhe këta studentë më së miri tregojnë se inteligjenca e studentëve tanë është në nivelin e dëshiruar”, ka thënë ministri Bajrami.

Ministri Bajrami po ashtu ka theksuar se Ministria e Arsimit në vazhdimësi 
ka mbështur studentët pjesëmarrës të kësaj konference, ndërkaq rikujtoi se MAShT është e përkushtuar që fondet e ministrisë t’ i orientojë në përkrahjen e studentëve të talentuar, në mënyrë që ata të bëhen pjesë e stafit akademik dhe lidershipit të vendit.

Ndërsa, udhëheqësi i ekipit, z. Luz Balaj, e ka njoftuar ministrin Bajrami me punën që është bërë për të përgatitur ekipin, i cili do të përfaqësojë Kosovën në këtë konferencë.

Balaj po ashtu vlerësoi gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit për mbështetjen që i ka dhënë këtij projekti.

Pjesëmarrjen e studentëve në këtë eveniment do ta mbështesin financiarisht MAShT, Ambasada Amerikane në Prishtinë, Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës.

Last modified: 30 Gusht, 2022