MASHT

Ministri Bajrami përkrahu themelimin e Akademisë së Ndërmarrësisë

29 Mars, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në konferencën për media të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, me rastin e themelimit të Akademisë së Ndërmarrësisë, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z . Arban Abrashi dhe përfaqësues të Odës Zejtare të Dortmundit.

Ministri Bajrami, me këtë rast, tha se është mbështetës i futjes projekteve të frymës së ndërmarrërsisë në Kosovë, sepse kjo do të ndihmojë shumë në ndërrimin e mentalitetit të të rinjve tanë, të cilëve duhet t’ua japim mbështetjen që të jenë ndërmarrës dhe biznesmenë të suksesëshëm.

“Ne jemi të përkushtuar që brenda programeve tona shkollore, të nxisim  frymën e ndërmarësisë, frymën e biznesit tek të rinjtë tanë, që të jenë të suksesshëm dhe kjo do  të bëhet që në moshë të re. Po punojmë që të kemi arsim cilësor,  cili do të sigurojë punësim”, tha ministri Bajrami.

Ne, tha ministri Bajrami, dëshirojmë që të krijojmë profesionistë të zotët, me kompetenca dhe shkathtësi, që të jenë të aftësuar për punën që ata do të bëjnë dhe për këtë do të ofrojmë programe të mira  shkollore.

Ministri Bajrami foli për praktikat më të mira të mësimit dual të shkollave profesionale të Dortmundit,  për të cilat tha se, është e nevojshme që të aplikohen  edhe në shkollat e Kosovës.

“Ne po punojmë me përkushtim me partnerët tanë  gjermanë dhe partnerët tjerë evropian në projektin ‘Përshtatja e sistemit arsimor nevojave të tregut të punës’, dhe ky projekt do të na mundësojë që për 3 vitet e ardhshme, shumicën e shkollave tona profesionale t’i orientojmë në fushat ku sigurojnë punësim”,  tha  ministri Bajrami.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit me Odën Ekonomike të Kosovës, si partner strategjik, ministri Bajrami ndër tjera tha: “Në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës,  do të punojmë  në krijimin e partneriteteve me shoqata e partnerë të OEK-ut, që janë  shumë  të rëndësishëm në dimensionin praktik të krijimit të shkathtësive dhe kompetencave të të rinjve tanë”  .

Last modified: 30 Gusht, 2022