MASHT

Fillon hartimi i Kurrikulës Bërthamë për Edukimin Parashkollor

17 Shtator, 2014

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Nehat Mustafa, mori pjesë në hapjen e punimeve të punëtorisë dyditore për hartimin e Kurrikulës Bërthamë për nivelin e Edukimit Parashkollor, në të cilën po marrin pjesë zyrtarë të lartë të MAShT-it, pedagogë dhe edukatore të çerdheve, si dhe ekspertë të fushave të ndryshme kurrikulare.

Me rastin e hapjes së punimeve, zv/ministri Mustafa tha se, tashmë jemi në fazën e pilotimit të Kurrikulës së re të Kosovës në rreth 100 shkolla pilote. “Presim që në fund të vitit, të marrim edhe informatat kthyese për sfidat dhe ndryshmet që eventualisht do të duhej të bëhen dhe kështu, do të kemi të definuar çështjen për fillimin e zbatimit të plotë në të gjitha shkollat e Kosovës”, theksoi ai.

Në vazhdim, z. Mustafa tha se me fillimin e hartimit të Kurrikulës Bërthamë për parashkollorët, po synojmë që të përmbyllim me sukses tërë këtë proces, por tashmë edhe nga niveli zero.

Ndërsa, duke folur për rëndësinë e edukimit të fëmijëve në nivelin parashkollor, z. Mustafa tha se, MAShT në vazhdimësi angazhohet që edhe ky nivel i edukimit të të rinjve, të bëhet sipas standardeve të larta, të bindur se me investimin në fëmijëri të hershme, bëjmë investim në të ardhmen e vendit.

“Është detyrë e juaja që të bëni më të mirën nga ana juaj profesionale, në mënyrë që të kemi një dokument të mirë dhe të zbatueshëm në praktikë. Ne do të jemi përherë në mbështetje të punës suaj, por këtu duhet të japin kontributin e tyre edhe zyrtarët komunal kudo në Kosovë”, tha zv/ministri Mustafa.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tashmë ka filluar pilotimin e Kurrikulës së Re të Kosovës për Arsimin Parauniversitar në mbi 100 shkolla pilote , ndërsa në vitet që vijnë do të filloi zbatimi i plotë i saj.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.