MASHT

SQARIM

4 Prill, 2016

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për hirë të sqarimit të drejtë dhe të saktë të opinionit publik, në respekt të Agjencisë Kundër Korrupsion dhe drejtorit të saj z. Preteni, lidhur me raportimet e djeshme nga mediat e shkruara dhe elektronike rreth nivelit të korrusionit në aktivitetet e prokurimit në Institucionet e Republikës së Kosovës, në të cilat raportime është përmendur edhe Institucioni i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, raportime të cilat si të tilla, kanë përbërë shqetësim për MAShT-in, dhe informata jo të vërteta për opinionin publik, sqaron si vijon:

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, informon se i është drejtuar sot zyrtarisht AKK-së, për të kërkuar informata konkrete rreth gjetjeve të raporteve të AKK-së, me qëllim të adresimit të tyre, si dhe ndërmarrjes së masave të menjëhershme ligjore.

Drejtori z. Preteni në përgjigjen e tij, ka sqaruar se me keqardhje i ka pranuar këto raportime, pasi periudha të cilës ju referua në përgjigje të pyetjes së gazetarit ka qenë para ardhjes së minsitrit Bajrami në krye të MAShT, ku është fakt se për vitin 2015 dhe 2016 ministri Bajrami ka realizuar transferimin e aktiviteteve-procedurave të prokurimit në Ministrinë e Administratës Publike, që lidhen me ndërtimin, rindërtimin dhe renovimin e shkollave dhe institucioneve tjera arsimiore, dhe që përbëjnë investimet kapitale të MAShT-it.

Me tej, drejtori z. Preteni, ka falënderuar edhe personalisht ministrin Bajrami, për zbatimin e rekomandimeve të AKK nga MAShT-i edhe në nivel të masave administrative ndaj cilitdo zyrtar/e që dyshohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Së fundi, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, vlerëson lartë punën dhe bashkëpunimin me Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe drejtorin z. Preteni, dhe është e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me Institucionin e AKK, por edhe e vendosur në ndërmarrjen e masave dhe veprimeve që i shërbejnë qëllimit të përbashkët për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe fton drejtorin z. Preteni që përkitazi me rastin e lartëcekur të ofrojë publikisht sqarimet e nevojshme që do t’i kontribuojnë të vërtetës.

Last modified: 30 Gusht, 2022