Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami vizituan rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, z. Marjan Dema, me rastin e marrjes së detyrës së rektorit të këtij universiteti
Kryeministri Mustafa dhe ministri Bajrami i ofruan përkrahje të plotë rektorit Dema, në ruajtjen e autonomisë institucionale, realizmin e synimeve akademike dhe zhvillimin e vazhdueshëm të UP-së, në përputhje të plotë me standardet evropiane të cilësisë.
Ministri Bajrami me këtë rast, shprehu bindjen se, menaxhmenti i ri i UP-së, me qasjen konstruktive të rektorit do të hyjë në një proces të krijimit të rendit dhe dialogut akademik.
“Po fillon një kohë e përgjegjësisë akademike, përgjegjësisë së gjithë profesorëve dhe studentëve që të punojnë në ngritjen e cilësisë, përmirësimin e performancës së Universitetit të Prishtinës, në mënyrë që të krijojmë një universitet modern i cili tërësisht do të jetë i lidhur me tregun e punës “, u shpreh ministri Bajrami.
Ministri Bajrami theksoi se UP do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit në ndërtimin e legjislacionit të përshtatshëm, duke respektuar plotësisht autonominë akademike, si vlerë e shoqërisë demokratike.
“Jam i sigurt se qasja të cilën e ka ofruar profesor Marjan Dema, qasja e dialogut akademik dhe zgjidhjes së problemeve në mënyrë demokratike është qasja e duhur. Jemi të kënaqur që kjo qasje po pranohet nga profesorët dhe studentët. UP duhet të luaj një rol prijës në sferën e arsimit të lartë dhe të jetë shtytës për universitete tjera, në ndërtimin e një sistemi të avancuar të arsimit të lartë”, tha ministri bajrami.
Ministri Bajrami tha se MAShT do të kërkojë krijimin e kapaciteteve të qëndrueshme të UP-së dhe ngritjen permanente të cilësisë, ndërkaq premtoi se në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Akreditim do të punohet që programet të cilat ofrohen në këtë universitet të krijojnë kuadro të cilat do të kenë perspektivë në tregun e punës.
Last modified: 30 Gusht, 2022