MASHT

Ministri Bajrami priti ministrin e Diasporës, z. Valon Murati

18 Dhjetor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot në takim Ministrin e Diasporës, z. Valon Murati. Të dy ministrat kanë biseduar për çështjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diaporë dhe vazhdimin e projekteve të përbashkëta të dy ministrive.

Ministri Murati foli për bashkëpunimin e deritanishëm të Kosovës dhe Shqipërisë për institucionalizimin e mësimit plotësues në diaporë. Ai përmendi edhe strategjinë e cila është punuar nga ekspertët e të dy vendeve, respektivisht ministritë e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës. “Në këtë dokument mërgata trajtohet si një dhe e pandarë dhe mendoj se kjo është e drejtë”, tha ministri Murati.

Ministri Bajrami konfirmoi se do ta mbështesë këtë projekt dhe projekte të tjera në të mirë të diasporës shqiptare, sepse theksoi se hartimi i një kurrikule të vetme për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë është i domosdoshëm.

Ministrat Bajrami e Murati u pajtuan që të vazhdojnë dhe ta thellojnë edhe më tutje bashkëpunimin me Shqipërinë, respektivisht me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, sa i përket mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.