MASHT

Ministri Bajrami priti në takim drejtorin e USAID-it në Kosovë

5 Maj, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti në takim drejtorin e USAID-it në Kosovë, z. James Hope, të cilin e ka njoftuar me vendimin e mbledhjes së fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndarjen e mjeteve financiare prej 300.000 (tre qind mijë) euro, për mbështetjen e Programit Fulbright, që ka për qëllim ofrimin e financimit të shkëmbimit akademik, përkatësisht bursave studimore për studentët nga Republika e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri Bajrami po ashtu shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit për intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Zyrën e USAID-it në Kosovë, për krijimin e mundësive më të mira për studentët, si dhe domosdoshmërinë e ngritjes së standardeve të cilësisë në fushën e arsimit të lartë.

Ndërsa, z. Hope ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zgjerimin dhe mbështetjen e këtij programi dhe ka theksuar gatishmërinë e  qeverisë amerikane për mbështetjen e mëtejme të arsimit të lartë në Kosovë.

Misioni thelbësor dhe afatgjatë i Programit Fullbright është tejkalimi i barrierave kulturore dhe nxitja e respektit dhe e mirëkuptimit reciprok mes kulturave dhe shoqërive përmes bashkëpunimit.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.