MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në shënimin e 45 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës

13 Shkurt, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 45 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z Arsim Bajrami, mori pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 45 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës.

Me këtë rast, ministri Bajrami theksoi se ky përvjetor na bën krenar për rritën e këtij universiteti. “45 vjet të Universitetit të Prishtinës, janë 45 vjet të historisë së Kosovës, sepse ky Universitet u themelua 45 vite me parë si një element i një revolucioni kulturor, si një fillim i një emancipimi kulturor dhe faktorizimi të shqiptarëve për t’u shndërruar në një vatër të edukimit, por edhe të rezistencës kombëtare”.

Por, ministri Bajrami theksoi se, sot ndodhemi para momentit të sfidës së reformimit të Universitetit. “Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të punojë për reformimin e plotë të universiteteve në mënyrë që të promovojmë universitete të forta për një shtet demokratik”, tha ai, ndërsa theksoi se do të punohet bashkarisht për krijimin e universiteteve të forta e kualitative, të cilat do të jenë promotore të zhvillimit ekonomik, të krijimit të tregut të punës dhe të krijimit të një shtetit të edukuar, një shoqërie të emancipuar.

Ministri Bajrami i ftoi të gjithë akterët e përfshirë në arsimin e lartë që të japin kontributin e tyre gjatë ndryshimit të Ligjit për Arsimin e Lartë, në mënyrë që të ketë një reformë substanciale në këtë nivel të arsimit. Ai po ashtu, ftoi studentët që të ndihen pronarë të Universitetit dhe të jenë kërkues nga Universiteti.

Sa i përket procesit të aderimit në Bolonjë, ministri Bajrami theksoi se po bën përpjekje maksimale për të realizuar këtë synim. “Tani vendi ynë është i pavarur dhe poqëse sigurojmë stabilitet, qetësi, rend akademik, ne do të bëhemi pjesë e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë. Diplomat tona, profesorët tanë, studentët tanë, do të përfshihen në tregun evropian dhe kështu do ta kryejmë një mision që kemi ndaj shtetit që ne të kemi një arsim të lartë cilësor”, tha ministri Bajrami.

Në fund, ministri Bajrami foli edhe për studentët e dalluar të Universitetit “Hasan Prishtina”, të cilët ishin të pranishëm në këtë solemnitet. Së bashku me rektorin Ramadan Zejnullahu, ministri Bajrami iu ndau mirënjohje këtyre studentëve.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.