MASHT

Ministri Bajrami po merr pjesë në takimin e parë të konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë

11 Qershor, 2016

Ministri i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami po merrë pjesë në punëtorinë e përbashkët të rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, ku po punohet në finalizimin e Udhëzimit Administrativ (UA) për punën, detyrat dhe përgjegjësitë e Konferencës së Rektorëve, të themeluar ditë më parë nga MASHT, si një mekanizëm që do të ndihmojë në harmonizimin e politikave strategjike zhvillimore të Arsimit të Lartë në Kosovë.

Me këtë rast ministri Bajrami ka përgëzuar rektorët e universiteteve publike për përmbylljen më sukses të ligjëratave të vitit akademik dhe gatishmërinë që të punojnë së bashku me qëllim të propozimit dhe harmonizimit të politikave dhe planifikimit strategjik, përmes koordinimit dhe këshillimit me MASHT për të gjitha çështjet e interesit të përbashkët.
“Ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë ne që po kontribuojmë në funksionalizimin e Konferencës së Rektorëve, si praktik e shumë shteteve të Evropës dhe e cila do të shërbejë si mekanizëm jashtëzakonisht i dobishëm i arsimit të lartë që do të kontribuojë në shumë dimensione në politikat akademike, menaxheriale, administrative dhe financiare të përgjegjësive të përbashkëta”, tha ministri Bajrami. Gjithashtu, Ministri kërkoj nga të gjithë rektorët të angazhohen në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe vendosjen e standardeve të larta akademike për të rritur kredibilitetin akademik dhe besimin e qytetareve dhe studenteve në universitetet publike.

Në vazhdim ministri Bajrami foli edhe për çështje të programeve studimore të cilat aplikohen në universitet tona , me q`rast tha se është e nevojshme që të kemi një trend të ri të programeve, të fokusohemi më shumë në drejtime deficitare dhe shkenca aplikative, me qëllim të orientimit dhe përshtatjes, nevojave të tregut të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ne duhet gjithashtu që të jemi më të përgatitur në qasjen e projekteve dhe të përfitojmë më shumë programe nga fondet ndërkombëtare me projekte të mira hulumtuese shkencore” tha ministri Bajrami.

Ndryshe, Konferenca e Rektorëve do të udhëhiqet sipas sistemit të rotacionit duke filluar nga Universiteti i Prishtinës e me radhë (sipas numrit të studentëve).

Rektorët e universiteteve do të takohen disa herë në vit dhe së bashku të diskutojnë për politikat zhvillimore, shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e nevojave të institucioneve të tyre, duke propozuar raporte, këshilla dhe rekomandime për menaxhmentin e MASHT-it.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.