Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, personalitete të rëndësishme të nivelit qendror dhe komunal, nxënës dhe mësimdhënës të shumtë morën pjesë sot në ceremoninë e shënimit të jubileut të themelimit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Abedin Rexha” në Turiqevc të Skenderajt.
Presidenti Thaçi dhe ministri Bajrami, pasi uruan nxënësit dhe mësimdhënësit për shënimin e 90- të vjetorit të themelimit të shkollës, folën edhe për rëndësinë e këtij institucioni shkollor, në arsimimin dhe edukimin e brezave të tërë nga rajoni i Drenicës dhe më gjerë.
Presidenti Thaçi, vlerësoi lartë kontributin e brezave të tërë të mësimdhënësve të kësaj shkolle, të cilët me urtësinë dhe frymën e kombëtarizimit edukuan dhe nxorën njerëz të rëndësishëm, të cilët i kontribuan jo vetëm këtij vendbanimi, por gjithë Republikës së Kosovës.
Ndërsa, ministri Bajrami theksoi se, kjo shkollë ka edukuar patriotë, të cilët dikur ishin bartës të proceseve të çlirimit dhe zhvillimit, ndërkaq sot udhëheqin Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit evropian.
Ministri Bajrami i ftoi gjithë mësimdhënësit e Kosovës që të jenë të përkushtuar në krijimin e një sistemi cilësor të arsimit.
“ Nëse në të kaluarën kemi pasur edhe funksionin e të mbajturit gjallë të frymës së atdhedashurisë, ju ftoj që sot të punojmë bashkë për të krijuar shkolla cilësore, t’ u qasemi nxënësve me shumë dashuri, në mënyrë që këtyre fëmijëve t’ u sigurojmë një shkollim të mirë, një të ardhme prosperuese dhe me këtë të ndikojmë në mirëqenien e përgjithshme”, u shpreh ministri Bajrami.
Në shkollën fillore “Abedin Rexha” aktualisht mësimet i ndjekin mbi 800 nxënës, të cilët mësimet i zhvillojnë në objektin e ri shkollor, të përuruar ditë më parë.
Last modified: 30 Gusht, 2022