Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në mbledhjen e parë konstituive të Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë.
Themelimin e Konferencës së Rektorëve, ministri Bajrami e vlerësoi si ngjarje të rëndësishme për arsimin e lartë, pasi që theksoi faktin se ky organ është themeluar pas një tradite gati gjysmëshekullore të arsimit të lartë.
“Ky është një sukses i përbashkët i të gjitha universiteteve tona publike. MAShT është jashtëzakonisht e kënaqur që e ka ndihmuar këtë proces, sepse tanimë Konferenca e Rektorëve do të jetë një organ shumë i rëndësishëm i ndërtimit të standardeve në arsimin e lartë”, tha ministri, ndërsa theksoi se përmes këtij organi po fillojmë procesin e stabilitetit në arsimin e lartë, procesin e ngritjes së cilësisë dhe rritjes së besimit në opinion.
Duke folur për rëndësinë e Konferencës së Rektorëve, ministri Bajrami, tha se ky mekanizëm i fuqishëm do të jetë partner i fuqishëm për MAShT në politikat e regjistrimit të studentëve, në hartimin e legjislacionit, në rritjen e buxhetit për universitetet publike dhe fusha të tjera.
Ministri Bajrami ftoi të gjithë partnerët që të mbështesin universitetet, “që të besojnë se ne mund të ndërtojmë një arsim të lartë cilësor, sepse i kemi të gjitha kapacitetet”. Po ashtu, ai theksoi gatishmërinë e rektorëve që të bashkëpunojnë mes vete për të ndërtuar universitete moderne.
“Universitetet e forta krijojnë një shoqëri demokratike, krijojnë një shtet të suksesshëm dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi karshi këtij procesi”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se MAShT do ta mbështes këtë organ, i cili në punën e vet do të jetë plotësisht autonom.
Në këtë mbledhje, anëtarët e Konferencës kanë miratuar edhe Rregulloren e Punës së Konferencës së Rektorëve, ndërsa sipas UA 11/2016 është zgjedhur edhe kryesuesi dhe zëvëndës kryesuesi i saj. Për dy vitet e ardhshme Konferenca do të kryesohet nga rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” z. Marjan Dema, ndërsa, zëvendëskryesues do të jetë rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, z. Ramë Vataj.
Kryesuesi i Konferencës, z. Marjan Dema, me këtë rast, theksoi edhe gatishmërinë e Universitetit të Prishtinës që të jetë në funksion të plotë të realizimit të rolit dhe përgjegjësive që ka ky mekanizëm i arsimit të lartë.
Last modified: 29 Gusht, 2022