MASHT

Ministri Bajrami priti rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

4 Mars, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti sot rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Prof. Dr. Ramadan Zejnullahu, me të cilin bisedoi për shumë çështje që kanë të bëjnë me arsimin e lartë publik. Ministri Bajrami dhe rektori Zejnullahu u pajtuan për angazhim dhe përpjekje të përbashkëta për ngritjen e cilësisë në Universitet.

Pas takimit, ministri Bajrami theksoi se Universiteti i Prishtinës është shtylla kryesore e reformës së arsimit të lartë. “Arritëm marrëveshje për bashkëpunim sa i përket debateve publike që do t’i kemi me profesorë dhe studentë për Ligjin për Arsimin e Lartë. Do të arrijmë konsensus akademik për këtë ligj. Bashkë me rektorin të zhvillojmë fushatën e debatit akademik me institucionet”.

Universiteti i Prishtinës, tha ministri Bajrami, tregoi solidaritet akademik në raport me universitetet e reja publike, duke vendosur për mbështetje, sa i përket angazhimit të stafit të UP-së dhe duke pasur mirëkuptim që edhe në një kohë të caktuar ky universitet të ndihmojë universitetet e reja, të cilat kanë nevojë për kuadro dhe për këtë do të angazhohemi së bashku të krijojmë një orar të përshtatshëm dhe të disiplinuar që profesorët një ditë në javë të mund ta kenë të lirë për t’u angazhuar në universitetet e reja publike në mënyrë që t’i mbështesin këto deri në krijimin e kuadrit të qëndrueshëm akademik.

Sa i përket përpjekjeve të përbashkëta për ngritjen e cilësisë në Universitetin “Hasan Prishtina”, ministri bajrami theksoi se qenësore tek reforma akademike është ngritja e cilësisë së mësimdhënies, monitorimi i cilësisë, vendosja e një sistemi permanent të monitorimit të cilësisë, vlerësimit të vazhdueshëm të performancës së profesorëve dhe kualitetit të mësimdhënies. “Në këtë drejtime do të jemi së bashku mbështetës ndaj kërkesave të studentëve”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri po ashtu, theksoi se bashkë me universitetet publike do të punojnë që programet e reja të orientohen drejt shkencave ekzakte, për të cilat ka më shumë nevojë Kosova. “Qeveria ka planifikuar në programin qeverisës për arsim që të krijojmë kushte të përparësisë dhe bursa për studentët që orientohen në studime në shkencat ekzakte, në mënyrë që këto përpjekje për zhvillim ekonomik të përcillen me planifikim akademik”.

Ndërsa, ministri Bajrami tha se i ka dhënë mbështetje të plotë menaxhmentit dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës që të vazhdojë të vendosë kritere akademike dhe të përshpejtojë reforma që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë.

Rektori Ramadan Zejnullahu tha se është një përkushtim i dyanshëm që të angazhohemi maksimalisht që cilësinë në arsimin e lartë ta përmirësojmë për aq sa është e mundur

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.