MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në prezantimin e të gjeturave të analizës “Mos më mbyll derën, jam vetëm një fëmijë”

3 Mars, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në prezantimin e analizës “Mos më mbyll derën, jam vetëm një fëmijë”, analizë mbi mbrojtjen e fëmijëve në rrezik për të rënë në konflikt me ligjin dhe fëmijëve në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale (nën 14 vjeç).

Qëllimi kryesor i kësaj analize është ofrimi i një pasqyre të situatës dhe kuadrit ligjor, sfidat në fushatën e parandalimit, mbrojtjen dhe riintegrimin e fëmijëve. 

Ministri Bajrami, me këtë rast, shpalosi programet e Ministrisë së Arsimit, sa i përket integrimit të plotë të fëmijëve në shoqëri, largimit nga dukuritë asociale, risocializimit, riedukimit dhe riarsimimit të tyre.

Ministri Bajrami, theksoi se elementet kryesore në realizimin e këtyre politikave të Ministrisë së Arsimit janë krijimi i shkollave gjithëpërfshirëse, humane dhe cilësore “Ministria e Arsimit do te angazhohet me përkushtim për mbrojtjen, respektimin dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, në veçanti do të angazhohemi që në bashkëpunim me DKA-të të fuqizojmë shërbimin pedagogjik-psikologjik në shkolla, si dhe mekanizmat tjerë të paraparë me ligj në kuadër të shkollave, siç janë (Këshillit Drejtues, Këshillit të Nxënësve dhe Këshillit të Prindërve), në mënyrë që të promovojmë bashkëpunimin e shkollës me nxënës, prindër dhe komunitetin, si dhe vendimmarrjen e përbashkët”, tha ai.

Ministri Bajrami vlerësoi se krijimi i një sistemi cilësor të edukimit është një mundësi e mirë për largimin e fëmijëve nga kjo dukuri, ndërkaq shprehu mirënjohjen e tij për punën e koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, për përgatitjen e kësaj analize, e cila do të shërbejë si bazë e mirë në avancimin e mbrojtjes së fëmijëve në rrezik për të rënë në konflikt me ligjin dhe fëmijëve në konflikt me ligjin.

Bajram Kelmendi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tha se, është në procedurë draftimi i ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, në mënyrë që si shoqëri të mos merremi vetëm me pasojat, por edhe me parandalimin e kësaj dukurie.

Ndërsa, Laila Omar Gad, shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, theksoi se, përfshirja e fëmijëve në dukuri të cilat bien ndesh me ligjin, janë pasojë e përjashtimit të gjatë të këtyre fëmijëve nga shoqëri.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.