Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të koordinatorëve të cilësisë dhe drejtorëve të shkollave për zhvillimin e cilësisë. Këtë trajnim e kanë përfunduar 76 drejtorë dhe koordinatorë në 36 shkolla të Kosovës, ndërsa është realizuar nga Projekti i Binjakëzimit (Bashkimi Evropian), MAShT dhe DKA-të.
Ministri Bajrami e ka cilësuar këtë ngjarje të veçantë për faktin se po e konkretizohen premtimet për ngritjen e cilësisë në arsim, ndërsa theksoi se koordinatorët dhe drejtorët e shkollave, tashmë të trajnuar, janë njerëzit kyç në këtë proces.
“Nuk ka asgjë më prioritare në vendin tonë se sa të krijojmë një edukim cilësor, të ndërtojmë një sistem cilësor të arsimit. Ne duhet, e mundemi ta bëjmë këtë, sepse kemi gjysmën e popullsisë nën moshën 24 vjeçare, kemi pjesën më vitale të popullit në shkolla duke filluar nga edukimi parashkollor e tek universitetet, andaj e kemi për detyrë që të ofrojmë edukim cilësor, edukim i cili do të krijojë njerëz të suksesshëm“, theksoi ministri Bajrami.
Ju, tha Ministri, jeni ata të cilët do të merrni përgjegjësinë që të ndërtoni cilësinë e shkollës suaj, të ndërtoni performancën e mirë të institucionit tuaj dhe të rritni edhe llogaridhënien.
Ministri Bajrami tha se do të vendosim një sistem shtetëror të vlerësimit të përformancës, ndërsa do të angazhohemi që profesioni i mësimdhënësit të jetë i mbrojtur nga shteti, njëkohësisht duke kërkuar punë më shumë.
“Çelësi i suksesit në arsim është tek mësimdhënësit kompetentë, të përgatitur, mësimdhënësit që e duan profesionin dhe nxënësve iu qasen me shumë dashuri, me shumë përgjegjësi, sepse edukimi i nxënësve është një profesion fisnik“, vlerësoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami theksoi se, Qeveria do t’i shpërblejë shkollat cilësore, por edhe do të trajnojë mësimdhënësit dhe të përmirësojë performancën e shkollave që nuk janë në nivelin e duhur.
Ministri porositi kandidatët e certifikuar për zhvillimin e cilësisë që shkathtësitë e fituara profesionale t’i bartin te kolegët e tyre.
Last modified: 29 Gusht, 2022