Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Xhavit Dakaj dhe zyrtari i mësimit plotësues në diasporë, Nuhi Gashi kanë pritur sot në takim një delegacion me mësuese nga Zvicra, me ç’ rast është vlerësuar lartë puna e tyre me nxënësit shqiptarë që jetojnë atje.
Zëvendësministri Mustafa, tha se Ministria e Arsimit ka një bashkëpunim të mirë me Zvicrën e sferën e arsimit, veçanërisht me Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut.
Duke rikujtuar se Kosova ka një popullsi me përqindjen më të lartë të të rinjëve në Evropë dhe botë, me rreth 450 mijë nxënës në sistemin parauniversiar, Mustafa potencoi se, objektiv kryesor i Ministrisë së Arsimit është bashkëpunimi me shtetet të cilat e kanë të zhvilluar arsimin.
Më tej, Mustafa theksoi se, pas investimeve të mëdha në përmirësimin e infrastrukturës, drejtues të Ministrisë së Arsimit janë duke u angazhuar edhe në ngritjen e cilësisë në mësim.
Mustafa tha se, përveç katër dokumenteve të rëndësishme të cilat janë miratuar këtë vit, Ligji për Arsimin Parauniversitarë, Ligji për Arsimin e Lartë, Strategjia për Zhvillimin e Arsimit 2011/ 2016 dhe Korniza e Kurrikulit të Ri të Kosovës, MASHT-i ka filluar edhe procesin e certifikimit të mësimdhënësve.
Last modified: 29 Gusht, 2022