MASHT

Ministri Bajrami kërkoi nga përfituesit e bursave për studime në ShBA që më pas të kthehen e të transformojnë lidershipin

24 Korrik, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga USAID për grupin e dytë të studentëve, të cilët kanë përfituar bursa nga Programi për Transformimin e Lidërshipit – Bursat dhe Partneritet (TLP-SP), dhe janë gati të nisen për studime master në universitetet amerikane.

Ministri Bajrami iu tha studentëve se kanë arsye për t’u gëzuar, sepse tani kanë një mundësi jetësore për të marrë një arsim të lartë të avancuar të modelit amerikan dhe kjo do t’iu ndërrojë atyre jetën. “Jam i sigurt se ju do të jeni lidërët e së ardhmes. Kur të ktheheni do t’i qaseni jetës pak më ndryshe. Më shumë se sa një diplomë masteri e universiteteve amerikane, është një kulturë e re që do të sillni, një ndërrim i mentalitetit. Do të shihni se të pamundurat bëhen të mundura me përkushtim, me qasje dhe me angazhim”.

Ministri, po ashtu porositi përfituesit e bursave që të jenë të përkushtuar gjatë studimeve, të përfaqësojnë Kosovën në mënyrë dinjitoze dhe të jenë edhe ambasdorë të Kosovës për kohën sa zgjasin studimet. “Mos harroni se ju duhet të ktheheni në Kosovë dhe të kontribuoni në vendin tuaj”.

Ministri Bajrami u shpreh i gëzuar që Qeveria e Kosovës ka mundur që bashkë me USAID-in të ndihmojë në këtë Program dhe iu premtoi studentëve se pas kthimit në Kosovë, do të bisedojnë për angazhimin e këtyre studentëve në sfera të ndryshme, për të mundësuar transformimin e lidershipit dhe zhvillimin e vendit.

Ndërkaq, drejtori i Misionit të USAID-it, James Hope, tha se këta studentë kanë kaluar nëpër një proces të vështirë të përzgjedhjes, ndërsa u shpreh i sigurt në suksesin që do të tregojnë gjatë studimeve në universitetet më të mira amerikane

Programi i TLP-SP implementohet në partneritet me World Learning, Agjensionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe MASHT-in. Me grupin e dytë nga ky Program, 86 studentë do të ndjekin studimet master në universitetet amerikane.

Last modified: 29 Gusht, 2022