Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, i shoqëruar nga ministri i Administratës Publike, z. Mahir Yagcilar, kanë vënë sot gurthemelin e dy sallave të edukatës fizike: në shkollën fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan dhe në shkollën fillore “Iliria” në Pogragjë të Gjilanit.
Ministri Bajrami, me këtë rast tha se, këto salla të sportit janë pjesë e ndërtimit të shkollës moderne dhe do të ngrisin standardin e nxënësve, por edhe përkushtimin e mësimdhënësve.
Ministri Bajrami theksoi faktin se tashmë MAShT ka vendosur që të mos merret më drejtpërdrejt me ndërtimin e shkollave, por të punojë në reformën në arsim, në ngritjen e cilësisë dhe për këtë ka nënshkruar një marrëveshje me ministrin Yagcilar, me të cilën ndërtimi i shkollave i është kaluar në përgjegjësi Ministrisë së Administratës Publike.
“Ka ardhur koha që të krijojmë shkolla të forta dhe cilësore, të cilat nuk ofrojnë vetëm mësimdhënie, por kanë edhe aktivitetet sportive. Ju shumë shpejt do ta keni një palestër moderne sportive. Ky do të jetë edhe një vend ku nxënësit do të argëtohet, sepse dëshirojmë që shkolla përveç komponentës mësimore, të ketë edhe komponentën e edukimit dhe argëtimit”, tha ministri.
Ministri Bajrami theksoi edhe faktin se tashmë mësimdhnënia është një profesion i pëlqyer nga të rinjtë dhe kjo dëshmohet me kërkesat e shumta që ka për Fakultetin e Edukimit. “Kjo tregon se Qeveria e Kosovës ka investuar në kthimin e rolit dhe dinjitetit të mësuesit”.
Last modified: 29 Gusht, 2022