MASHT

Ministri Buja priti ambasadorin e Kroacisë në Kosovë

28 Prill, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka pritur sot ambasadorin e Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën e arsimit.

Ministri Buja, sikur edhe ambasadori Vodopija theksuan marrëdhëniet shumë miqësore që kanë pasur edhe vazhdojnë t’i kenë Republika e Kosovës dhe ajo e Kroacisë.

Pasi që theksoi se arsimi dhe shkenca janë e ardhmja e cdo vendi, ambasadori Vodopija, theksoi faktin se Kosova ka një popullsi të re, prandaj ka shumë njerëz për të shkolluar. “Ju keni një situatë demografike mjaft të mirë dhe e dini sa njerëz keni për të shkolluar”, theksoi ai, ndërsa tha se shteti i tij nuk e ka këtë përparësi, duke qenë se ka të rinj çdoherë e më pak, gjë që po iu ndodhë edhe shumë shteteve tjera të Evropës.

Ministri Ramë Buja, ndërsa, theksoi se MASHT-i është e interesuar që të forcojë bashkëpunimin me Kroacinë në sektorin e arsimit në të gjitha nivelet, prandaj gjatë këtij takimi u hodh edhe ideja që në një të ardhme të afërt, ky bashkëpunim të konkretizohet edhe me një marrëveshje bashkëpunimi, e cila nënshkruhet në mes Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Kroacisë.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për komunitetin kroat që jeton në Kosovë.

Last modified: 26 Gusht, 2022