MASHT

Ministri Buja dhe ambasadori Kvale vizituan Qendrat e Kompetencës në Skenderaj dhe Malishevë

18 Mars, 2011

Vizitën e parë në terren prej se ka marrë përsipër të drejtojë institucionin më të lartë të arsimit në vend, ministri Ramë Buja, e ka realizuar në Skenderaj dhe Malishevë, ku i shoqëruar nga ambasadori i Norvegjisë, Sverre Johan Kvale, i ka vizituar dy Qendrat e Kompetencës në këto dy komuna.

Ministri Buja, është pritur në këto dy qendra nga kryetarët e Komunave, Sami Lushtaku, respektivisht Isni Kilaj, drejtorët komunalë të arsimit, udhëheqësit e qendrave, mësimdhënës e nxënës.

Ministri është njohur me hapësirat dhe kushtet e mësimit në dy qendrat e kompetencës, të vetmet të këtij lloji në Ballkan, ku donator ka qenë Norvegjia. Ai është shprehur i befasuar këndshëm me kushtet e krijuara në këto dy qendra, ku tashmë janë pranuar nxënësit e parë dhe ka filluar mësimi.

Ambasadori Kvale e njoftoi ministrin se ka mbetur edhe shumë pak punë për t’u quajtur të përfunduara komplet këto dy qendra. Ai tha se shumë shpejt do të vijnë edhe mjetet e fundit të porositura, të cilat do të jenë në shërbim të nxënësve dhe stafit mësimor.

Ambasadori Kvale u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e komunave dhe të komunitetit prej fillimit të punës për ndërtimin e Qendrave e deri më tani, ndërsa theksoi se sfidë do të jetë mirëmbajtja e këtyre objekteve, prandaj në këtë drejtim theksoi nevojën e ndihmës së MASHT-it.

Ministri Buja, ndërkaq, pasi falënderoi shtetin norvegjez për ndihmën e madhe që i ka dhënë arsimit kosovar, duke ndërtuar këto qendra, tha se “bëjmë faj të dyfishtë, nëse lejojmë të shkatërrohen”. Prandaj, ministri premtoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë në mënyrën më të mirë të mundshme për ato që i ka si obligim Ministria e Arsimit.

“Ndërtimi i këtyre dy qendrave të mrekullueshme është një ndihmesë e madhe për realizimin e synimit tonë për ngritjen e cilësisë në arsim”, u shpreh ministri Buja, i cili gjatë vizitës që i bëri punëtorive të qendrave, porositi nxënësit që të shfrytëzojnë këto mundësi ideale që janë krijuar dhe të bëhen sa më kompetentë si profesionistë të ardhshëm.

Ndërtimi i Qendrave të Kompetencës në Skenderaj dhe Malishevë ka kushtuar mbi 15 milion euro, 14 .7 milion prej të cilave kanë qenë donacion i Qeverisë Norvegjeze, ndërsa 1.2 milion euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës.

Objekti i Qendrës në Skenderaj ka afërsisht 9.600 metër katrorë, ndërsa ai i Qendrës në Malishevë, rreth 9.200 metër katrorë. Dizajni i dy ndërtesave është inovativ dhe në përputhshmëri me trendet bashkëkohore të arkitekturës, duke i dhënë prioritet funksionalitetit, efikasitetit në shfrytëzim dhe kursim të energjisë, etj.

Last modified: 26 Gusht, 2022