Ministri i ri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Ramë Buja, nisi sot punën e tij në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës.Ai është pritur sot pasdite nga ministri i deritanishëm i Arsimit, Enver Hoxhaj dhe kabineti i tij dhe nga stafi civil i MASHT-it, të cilët i dëshiruan mirëseardhje dhe sukses në punën e tij.
Me këtë rast, ministri i deritanishëm, Enver Hoxhaj, ka theksuar se përzgjedhja e një njeriu të tillë në krye të MASHT-it, është një vendim shumë pozitiv në Republikën e Kosovës. Ai u shpreh i sigurt se ministri Ramë Buja do ta jep
maksimumin që t’i vazhdojë të gjitha projektet që janë filluar në Ministrinë e Arsimit.
Ndërsa, me këtë rast, ministri Hoxhaj (tashmë i emëruar si Ministër i Punëve të Jashtme), falënderoi të gjithë nxënësit, studentët, prindërit, mësimdhënësit, profesorët, akademikët, shkencëtarët, bashkëpunimi me të cilët, siç u shpreh ai, ka mundësuar të vendosen bazat e Republikës së Kosovës si një shtet të dijes. Ndërsa, ai falënderoi edhe mediat për bashkëpunim dhe tha se kanë qenë ato që arsimin e kanë shndërruar në një prioritet kombëtar, sikur që ka qenë edhe qëllim i Qeverisë. “Për mua, arsimi dhe Ministria e Arsimit nuk ka qenë funksion, ka qenë një mision i shenjtë dhe jam shumë i nderuar që këtë funksion të shenjtë, tashmë ja barti z. Ramë Buja”, tha ai.
Ndërsa, ministri i ri i Arsimit, Ramë Buja, lëvdoi punën e ministrit Hoxhaj dhe tha se është i privilegjuar që merr detyrën nga ai. “Unë do të vazhdoj patjetër ato projekte që ministri dhe Ministria i kanë lënë të gatshme”, theksoi ai.
Duke e cituar ministrin Hoxhaj për Kosovën – shtet të dijes, ministri Buja theksoi se “nëse ne arrijmë ta bëjmë Kosovën – vend të dijes, e kemi realizuar misionin, sepse absolutisht ky është vazhdimi i misionit për ta bërë Kosovën vend të dijes. Nëse e arrijmë këtë, kemi arritur shumëçka, në mos të gjitha”.
Last modified: 26 Gusht, 2022